“Bankat fitojnë në kurriz të qeverisë”

30/08/2010 08:25

Tregu i përqendruar i letrave me vlerë gjykohet i padrejtë nga biznesi, i cili kërkon marrjen e masave për një liberalizim të bonove që qeveria ua shet bankave.

Konfindustria shprehu dje shqetësimin e saj, se përqendrimi në mënyrë pothuajse të plotë i tregut të letrave me vlerë të qeverisë vetëm në bankat e nivelit të dytë ka rezultuar me kosto të lartë për buxhetin e shtetit dhe ekonominë shqiptare në përgjithësi.

“Është një barrë e rëndë për financat publike, që shndërrohet nga ana tjetër në fitime të paarsyetuara për sistemin bankar, duke mos prodhuar efekt pozitiv për ekonominë reale”, deklaroi administratori i përgjithshëm i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku.

Bizneset e fushës industriale në vend marrin shkas nga emetimi i eurobondit në tregun e brendshëm, në të cilin u morën nga bankat vendore të nivelit të dytë 25 milionë euro me interes 6.1 për qind, pikërisht në kohën kur niveli mesatar i depozitave të qytetarëve në bankat e nivelit të dytë është mesatarisht në 3 për qind. “Kjo do të thotë që bankat huadhënëse ndaj qeverisë arrijnë të fitojnë drejtpërdrejt 100 për qind fitim nga interesat”, deklaron Buxhuku.

Përfundimi i njëjtë do të ishte edhe nëse do të vlerësoheshin termat e huamarrjes shtetërore me “lekë”. Të shtrira në hapësirën kohore të viteve në të cilat qeveritë shqiptare të të gjitha ngjyrave politike kanë ndjekur të njëjtën mënyrë huamarrje, del se janë me dhjetëra e dhjetëra milionë euro që janë paguar në mënyrë të paarsyeshme në dëm të buxhetit të shtetit dhe në përfitim të pastër të bankave të nivelit të dytë.

“Gjithashtu, një nga shkaqet kryesore të termave të larta të interesit të kredive dhe termave të tjera të pafavorshme krahësimisht me vendet e tjera të rajonit e më gjerë për sektorin privat, vjen pikërisht në mospërdorimin nga ana e qeverisë e gjithë instrumenteve të mundshme të huamarrjes së brendshme dhe përqendrimin vetëm në sistemin bankar”, nënvizon Konfindustria.

Për këto arsye, biznesi i kërkon qeverisë shqiptare që të mos mjaftohet me përdorimin e instrumenteve të deritashme të huamarrjes të përqendruar thellësisht nga sistemi bankar i nivelit të dytë, por të fillojë në një kohë sa më të shpejtë përdorimin e mjeteve përkatëse për nxitjen e huamarrjes së brendshme drejtpërdrejt nga qytetarët shqiptarë, si dhe mënyra të tjera të njohura dhe të përdorura me kohë në tregjet financiare të vendeve të zhvilluara.

“Bankat huadhënëse ndaj qeverisë arrijnë të fitojnë drejtpërdrejt 100 për qind fitim nga interesat”, deklaron Buxhuku.

Top Channel