Operatorët: Dyshime mbi “bumin” turistik

26/08/2010 08:20

Ata që e ndiejnë direkt fluksin e turistëve në Shqipëri janë operatorët turistikë, ku përfshihen bar-restorantet, ambientet akomoduese dhe agjencitë e transportit.

Pas deklaratave të shumta nga Kryeministri dhe Ministria e Turizmit për një bum turistik dhe numër vizitorësh rekord prej 1.8 milionësh nga janari deri në dy javët e para të gushtit, Shoqata Shqiptare e Turizmit nis të bëjë përllogaritjet rreth fluksit, duke u bazuar nga të dhënat zyrtare rreth numrit të hoteleve, mjediseve pritëse, e deri te numri i shtretërve.

“Po të marrim kapacitetin maksimal të dhomave dhe të 30 mijë shtretërve që ka në dispozicion vendi ynë për turistët, pra sikur të gjitha ambientet akomoduese të jenë të zëna plot për dy muajt e pikut, korrik-gusht, rezulton se nuk mund të mbajmë më shumë se 300 mijë vizitorë. Edhe nëse llogarisim të gjithë periudhën e paraqitjes së shifrave, të dhënat nuk korrespondojnë. Në këtë pikë, qeveria nuk i ka të dhënat e sakta, ose duhet të  pranojmë që mbi 2/3 e rreth 3 milionë turistë flenë në shtëpi private të paregjistruara“ tregon Kliton Gërxhani, presidenti i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA).

Gjithsesi, sipas tij, edhe nëse ka numër rekord turistësh, e rëndësishme është niveli i të ardhurave që krijohen. “Mund të kemi 3.5 milionë turistë për të gjithë vitin me të ardhura 30 milionë euro, por mund të kemi edhe 2 milionë turistë me 2 miliardë euro fitime. Ne, qeveria dhe specialistët duhet të gjejmë rrugën e duhur për të rritur të ardhurat dhe jo të krenohemi me turistë që shkojnë e vijnë për një vit”, tregon Gërxhani, i cili merr si shembull vendet fqinje, konkurrente tona, Malin e Zi dhe Kroacinë.

Duke qëndruar te çështja e përfitimeve të sektorit, presidenti i shoqatës, thotë se shumë turistë mund të qëndrojnë në banesa me qira, që nuk kontrollohen nga shteti, e nga ku nuk mund të vjelësh të ardhura për buxhetin. “Nëse të ardhurat nga turizmi nuk pësojnë ndryshime aq sa është numri i turistëve, atëherë këtu nuk ka vend për krenari, po për një masë emergjente për të luftuar informalitetin dhe kalimin e të ardhurave në buxhet”, deklaron Gërxhani.

Operatorët turistikë kanë ngritur disa herë shqetësimin lidhur me problemet që has sektori. Sipas tyre, problemi me pronat dhe parcelizimi i tokave pengojnë futjen e investitorëve të huaj në turizmin shqiptar. “Duhet qartësuar ligji për pronat dhe hartuar një plan i mirëfilltë për Jugun dhe të gjithë bregdetin, në mënyrë që sipërmarrësit e huaj të kenë siguri kur të vendosin për të investuar. Gjithashtu, duhet t’i jepet fund aksioneve me prishje ndërtimi pa leje dhe hapje kanalesh, apo bllokim tubash që derdhin ujërat e zeza, në mes të sezonit turistik”, deklaron presidenti i ATA-s.

Sipas tij, zgjidhjet për sektorin janë të shumta, duke nisur nga pronat shtetërore, ende të paprivatizuara, që mund të jepen për shfrytëzim vetëm për resorte turistike, minimumi për 100 dhoma, ambiente çlodhëse, pishina, fusha tenisi dhe plot argëtime të tjera.

Sektori i turizmit në vend kontribuon në masën rreth 14 për qind për zhvillimin e Prodhimit të Brendshëm Bruto, kurse të ardhurat vjetore arrijnë deri në 1 miliardë e 300 milionë euro, duke zënë 47 për qind të eksporteve.

“Duhet qartësuar ligji për pronat dhe hartuar një plan i mirëfilltë për Jugun dhe të gjithë bregdetin”, thotë Gërxhani.

Top Channel