Angelina Jolie, një film për Ballkanin

24/08/2010 08:20

Lajmi se aktorja e njohur e Hollivudit, Angelina Jolie do të bëjë një film për Ballkanin, ka qarkulluar shpejt nëpër media.

Kjo gjë nuk është bërë e ditur nga producentët, por nga Komisariati i Lartë i ONU për emigrantët (UNHCR). “Ky film, thuhet në shënimin që njofton një vizitë të aktores në Sarajevë, është një histori romantike që zhvillohet gjatë luftës së Bosnjës (1992-1995).

Ngjarja vërtitet në takimin e një çifti pak para konfliktit që do të shpërthente dhe në pasojat që lufta shkakton në lidhjen e tyre”. Në komunikatën e UNHCR-së, në të cilën Angelina është ofruar vullnetarisht si ambasadore, thuhet se kasti i aktorëve do të përbëhet vetëm nga artistë të vendeve të ndryshme të ish-Jugosllavisë”.

Që sot, aktorja e njohur amerikane do të ndalet për tri ditë në kryeqytetin boshnjak. “Do të doja që të bëja pjesëmarrës sa më shumë njerëz e të mësoja sa më shumë të ishte e mundur”, ka deklaruar Angelina Jolie, e cila ka saktësuar se nuk bëhet fjalë për një film mbi luftën e as për përhapje të mesazheve politike.

Top Channel