Afrikë, 4 të vrarë në minierën e Mandelës

13/08/2010 16:40

Katër trupa të pajetë janë gjetur në pusin e papërdorur të një miniere të kontrolluar nga të afërmit e presidentit të Afrikës së Jugut, Jacob Zuma dhe ish-liderit Nelson Mandela.

Policia lokale ka njoftuar se po zhvillon hetimet, të nisura pas zërave se 20 minatorë ilegalë u qëlluan për vdekje nga rojet e sigurisë së minierës ditën e hënë.

Pronarët e minierës së arit Grootvlei, në lindje të Johanesburgut, konfirmuan lajmin se rojet e tyre kishin pasur një përplasje me minatorët.

Miniera në fjalë është pronë e kompanisë “Aurora Empowerment Systems”, president i të cilës është nipi i presidentit Zuma, Khulubuse Zuma.

Ndërsa menaxher i përgjithshëm i saj është Zondwa Mandela, nip i luftëtarit të famshëm anti-aparteid.

Top Channel