Rusi, 10 vjet nga tragjedia e “Kurskut”

12/08/2010 14:45

Një varg ceremonish po mbahen në Rusi, në vecanti në portet detare të vendit, për të kujtuar 10 vjetorin e tragjedisë së “Kurskut”.

Nëndetësja, një nga mjetet lundruese më të avancuara të marinës ruse, u mbyt në detin Barents më 12 gusht të vitit 2000 dhe bashkë me të humbën jetën 118 marinarët që ndodheshin në bord.

Një shpërthim i karburantit nga një torpedinierë shkaktoi tragjedinë. Reagimi i Moskës ndaj një prej ngjarjeve më të rënda në historinë e marinës ruse u kritikua gjerësisht.

Të afërm të viktimave dhe anëtarë të flotës veriore ruse pritet të hedhin më vonë gjatë ditës kurora me lule në det, në kujtim të ekuipazhit.

Flamujt janë ulur në gjysmështizë në të gjitha bazat detare të Rusisë, ndërkohë që një ceremoni me një minutë heshtje u mbajt në Muzeun qëndror të ushtrisë në Moskë.

Top Channel