Pedagogët e Vlorës kërkojnë dyfishim page

06/08/2010 09:50

Plot 144 pedagogë, të cilët japin mësim në Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali”, kanë nënshkruar një peticion, i cili tashmë ka mbërritur në postën zyrtare dhe elektronike të Kryeministrit të vendit, Sali Berisha.

Qëllimi i këtij peticioni lidhet me pagesat në bazë të performancës dhe punës së secilit gjatë vitit akademik.

Sipas profesorëve që kanë nënshkruar peticionin, ata kërkojnë që si fillim në Universitetin e Vlorës të ketë dyfishim të pagave të pedagogëve, me motivacionin se kjo do të rrisë efektivitetin në punë.

Më pas kjo iniciativë të shtrihet më gjerë edhe në institucionet e tjera.

Rritja e pagës sigurisht të bëhet në bazë të performancës dhe, nga ana tjetër, për këtë shtesë ekzistojnë të gjitha mekanizmat për të përdorur të ardhurat dytësore dhe për të mos i “rënë në qafë” buxhetit të shtetit.

Peticioni

Peticioni i drejtohet Kryeministrit të vendit dhe i kërkohet të merren parasysh kërkesat e pedagogëve të Vlorës dhe alternativat për realizimin e këtyre kërkesave.

“Të lejohet senati i universitetit që të përdorë fondet e brendshme të universitetit për të rritur rrogat e pedagogëve sipas performancës në punë të secilit, e cila do të përcaktohet nëpërmjet strukturave akademike të Universitetit të Vlorës (UV)”, shkruhet në peticion.

Sipas sqarimit në shkresë, Universiteti i Vlorës ka praktikuar gjatë këtyre 2 viteve metoda të ndryshme nga universitetet e tjera të Shqipërisë, metoda që kanë dhënë rezultat jo vetëm në anën akademike dhe shkencore, por edhe në atë financiare.

“Me fondet e sotme të brendshme të universitetit, ne mund të përballojmë një dyfishim të rrogave të stafit tonë. Kostoja e një studenti në UV është rreth 25% e kostos së studentit në universitetet e tjera shqiptare”, sqarojnë profesorët.

Ulja e kostos

Kjo ulje e kostos ka ardhur si rezultat i rikonceptimeve bashkëkohore të programeve dhe drejtimit të ri të universitetit. Fondet që mbeten nga këto kursime tashmë nuk po përdoren. Rritja e rrogës së pedagogëve do të përmirësonte dukshëm performancën e tyre në punë dhe do ta çonte UV drejt standardeve bashkëkohore ndërkombëtare.

Një masë e tillë ka mbështetjen e plotë të sindikatës së pedagogëve të Universitetit të Vlorës.

“Mendojmë se eksperienca jonë është një risi dhe në universitetin e Vlorës mund të zbatohen metoda të reja më të decentralizuara për arsimin. Kjo rritje e pagës do të ishte në koordinim të plotë me vizionin tuaj për rritjen e standardit të jetesës për kolektivin tonë. Rritja e standardit të jetesës për ne nuk do ta prekte buxhetin e shtetit. Një eksperiencë si kjo duhet përkrahur dhe nxitur për të gjitha institucionet”, përfundon peticioni i dërguar Kryeministrit.

I pari që ka nënshkruar këtë peticion është kreu i Universitetit të Vlorës, e më pas dokumenti mban emrat, mbiemrat dhe nënshkrimet e 144 pedagogëve që japin mësim aty.

Top Channel