Kanada, lirohet trafikanti i Al Kaedës

05/08/2010 10:00

Një shtetas kanadez i akuzuar nga SHBA se ka furnizuar me armë Al Kaedën është liruar në Toronto pasi gjykata refuzoi ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara.

Abdullah Khadr, 29 vjec, ka qenë në burg që prej vitit 2005, kur u arrestua në Kanada me kërkesë të autoriteteve amerikane.

Khadr është vëllai i madh i Omar Khadr, perëndimori i vetëm që mbahet i mbyllur në burgun amerikan të Guantanamos, në Kubë.

Gjyqtari i cështjes tha se deklaratat e bëra nga Khadr dhe të përdorura si prova ndaj tij ishin të pabaza.

Khadr u arrestua fillimisht në Pakistan në tetorin e vitit 2004, pasi CIA u ofroi autoriteteve lokale një shpërblim prej 500 mijë dollarësh.

Shtetet e Bashkuara e akuzojnë atë se u ka siguruar armë, përfshirë mina dhe raketa, Al Kaedës për t’i përdorur kundër trupave të koalicionit në Afganistan.

Top Channel