“Wikileaks”, Pentagoni në gjurmët e të dyshuarit kryesor

29/07/2010 00:40

Burime konfidenciale të Pentagonit deklaruan për CNN se i dyshuari kryesor që po hetohet për rrjedhjen e informacionit ushtarak mbi luftën në Afganistan është një ish-ushtarak amerikan tashmë i burgosur.

Dyshimet e para sipas CNN, i cili citon një burim anonim të Pentagonit bien mbi Bredli Maning, 22 vjeç i cili dyshohet se ka patur akses në sistemin e mesazheve mbarëbotërore ushtarake duke i shkarkuar ato për t’i bërë publike më pas nëpërmjet Wikileaks.

CNN shton se hetimit të Pentagonit i është bashkangjitur edhe FBI për të ndihmuar ushtarakët amerikanë të zbardhin sa më parë një prej “incidenteve ushtarake” më të mëdha të ushtrisë amerikane.

“Ditari i luftës”, i publikuar për herë të parë nga Wikileaks, përmban mbi 92 mijë dosje që përshkruajnë me detaje të hollësishme operacionet dhe mënyrat e veprimit të NATO-s dhe ushtrisë amerikane në Afganistan, si dhe për ndihmën inteligjencës pakistaneze ndaj talebanëve.

Top Channel