BE, sanksione të ashpra ndaj Iranit

27/07/2010 01:50

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian në përpjekje për të bllokuar programin bërthamor të Iranit miratuan sanksione shtesë ndaj tij.

Sanksionet lidhen me tregëtinë e jashtme, bankat, sektorët e naftës dhe gazit, që janë edhe bazat e ekonomisë së Iranit. Në paketë përfshihen kufizimet më të gjëra të ndërmarra ndonjëherë nga BE, duke ndaluar edhe tekonologjinë që mund të përdoret për prodhimin dhe rafinimin e gazit natyror.

Do të ndalohet gjithashtu çdo investim i ri në sektorët më të mëdhenj të ekonomisë iraniane, anijet e këtij vendi do të inspektohen nëse dyshohen se kanë materiale të paligjshme, bankat që operojnë në BE do t’i nënshtrohen kontrolleve të hollësishme  dhe çdo transferim parash mbi 10 mijë euro duhet t’u komunikohet autoriteteve kombëtare, ndërsa për shumën mbi 40 mijë euro do të kërkohet autorizim paraprak. Mbi 40 individë dhe mbi 50 kompani janë rënditur në listën e zezë të Bashkimit Europian.

Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi pasi të publikohen në fletoren zyrtare të Unionit.

Top Channel