Al Kaeda, vrasja e pengut acaron Sarkozy

26/07/2010 14:05

Presidenti francez Nicolas Sarkozy ka konfirmuar vdekjen e pengut francez, të vrarë nga militantët e Al Kaedës në veri-perëndim të Afrikës.

Sarkozy ka dënuar vrasjen e 78 vjecarit Michel Germaneau duke e cilësuar atë si një veprim “të urrejtshëm”, që nuk do të kalojë pa ndëshkim.

“Unë dënoj këtë akt barbar e të urrejtshëm që i mori jetën një njeriu të pafajshëm që ishte angazhuar në ndihmën e popullsisë lokale”, ka deklaruar Sarkozy.

Lideri i Al Kaedës në Magrebin Islamik ka deklaruar më parë se inxhinjeri francez u vra në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmit të dështuar të forcave franceze për lirimin e tij.

Javën e kaluar Parisi zyrtar deklaroi se kishte dhënë mbështetje logjistike për kryerjen e një operacioni blic në Mali.

Sarkozy u bëri thirrje qytetarëve francezë që të mos udhëtojnë në rajonin e Sahelit, që përfshin pjesë të Malit, Mauritanisë dhe Nigerisë.

Top Channel