Afganistani, zbardhen 90 mijë dokumente sekrete

26/07/2010 09:10

Janë 92 mijë dokumentet sekrete të Pentagonit mbi luftën në Afganistan që prej vitit 2004 deri në dhjetor 2009, që janë publikuar nga mediat ndërkombëtare.

Të dhënat janë botuar nga “New York Times”, nga britanikja “The Guardian” dhe nga gjermania “Der Spiegel”, në bashkëpunim me ueb sajtin Wikileaks, aksesi i të cilit është bllokuar për shkak të vizitorëve të shumtë.

Nga të dhënat rezulton se Pakistani, publikish aleat i Shteteve të Bashkuara, u ka lejuar funksionarëve të shërbimeve sekrete që të takohen direkt me krerët e talebanëve.

Në këtë mënyrë ata kanë zhvilluar mbledhje sekrete për të organizuar rrjete me grupe militantësh për të luftuar kundër ushtarëve amerikanë, por edhe për të hartuar komplote kundër liderëve afganë.

Gjithashtu, nga dokumentet e rezervuara del në dritë se shërbimet inteligjente pakistaneze kanë punuar përkrah Al Kaedës për të projektuar sulme dhe bënin lojë të dyfishtë.

Për herë të parë është zbuluar se talebanët kanë përdorur raketa portative për të goditur avionët e NATO-s, si ato të tipit “Stinger”, që CIA u dha muxhahejdinëve të Osama bin Laden për të luftuar kundër sovietikëve në vitet ’80.

Që prej ardhjes së Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë trupat amerikane kanë përdorur më shumë avionë pa pilotë, të njohur ndryshe si dronë, edhe pse performancat e tyre janë më të dobëta nga sa është bërë e ditur.

Top Channel