“Testi i stresit”, dështojnë 7 banka

24/07/2010 02:15

U publikua pasditen e së premtes rezultati i të ashtuquajturit “testi i stresit” të bankave europiane, një nismë kjo e ndërmarrë nga BE për të verifikuar nëse sistemi bankar është i aftë të përballojë një krizë ekonomike dhe financiare në të ardhmen.

Sipas rezultateve të këtij testi, 7 nga 91 institucionet financiare që iu nënshtruan atij nuk e kaluan atë. Në emrat e bankave që nuk kaluan testin e ekspertëve të BE-së janë 5 banka spanjolle, “Diada”, “Espiga”, “Banca Civica”, “Unnim” dhe “Cajasur”. Shtatëshja plotësohet me dy emrat e tjerë, gjermanen “Hypo Real Estate” dhe Bankën Agrare greke, “ATEbank”.

Ekspertët e BE-së thanë se të gjitha këtyre bankave të cilat nuk kaluan testin, do t’u jepet një afat kohor i përcaktuar që të ndërmarrin masa për të plotësuar kriteret e përballimit të krizave në të ardhmen. Kjo kërkesë e BE-së duket paksa e vështirë për t’u realizuar duke patur parasysh se të shtatë bankave u nevojitet një kapital i ri prej 3.5 miliard eurosh në total për të plotësuar kriteret e kërkuara.

Për shumë analistë ndërkombëtarë testi është shumë pozitiv, por shumë prej tyre hedhin dyshimet se sa e pasqyron ai në të vërtetë realitetin e bankave, madje disa prej tyre vunë në pikëpytje edhe mënyrën e kryerjes së tij, që e cilësuan një mënyrë aspak strikte.

Top Channel