Financat: Të përndjekurit, 1 miliard lekë

21/07/2010 08:40

Problemet me dokumentacionin dhe procesi i gjatë i verifikimit të autorësisë bëri të mundur zvarritjen e procesit të dëmshpërblimit për të dënuarit politikë.

Konstatimi vjen nga drejtoresha e buxhetit në Ministrinë e Financave, e ftuar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, për të sqaruar detajet e buxhetit të ri 2010. Sipas përfaqësueses së ministrisë, Mimoza Dhëmbi, fondi për ish të përndjekurit politikë nuk është shkurtuar apo mungon, por ka pasur vështirësi dhe probleme me dokumentacionin dhe verifikimin e emrave.

Pyetjes së deputetit të PS-së, Arben Ahmetaj, lidhur me përgjysmimin e fondit për të dënuarit politikë dhe për ish-pronarët, sa u takon të ardhurave nga legalizimet, specialistja e Financave iu përgjigj me faktin se nuk ka asnjë faturë të papaguar. “Janë përdorur 2 miliardë lekë për dëmshpërblim. Ngelen edhe 1 miliard për t’u dhënë, të cilat janë parashikuar të shpërndahen deri në fund të dhjetorit”, nënvizoi Dhëmbi.

Sa u takon ish-pronarëve, drejtoresha e ministrisë tha se “po mblidhen lekët nga strukturat e posaçme dhe janë vënë në dispozicion rreth 1.4 miliardë lekë të ardhura nga legalizimet”.

Komisioni i Ekonomisë nisi dje të diskutonte nen për nen çdo ndryshim të projektligjit “Për buxhetin e shtetit”. Anëtarët socialistë të komisionit i fokusuan çështjet te borxhi, niveli i investimeve dhe te fakti i shkurtimeve të shpenzimeve te disa institucione prioritare. Konkretisht, Erjon Braçe ka kërkuar kriteret që janë ndjekur për shkurtimin e shpenzimeve.

“Fillimisht janë parë kursimet, pastaj janë ulur shpenzimet në sektorët joprioritarë, kurse pagat dhe pensionet nuk u prekën fare. Janë shkurtuar shpenzimet operative, janë bërë kursime për telefon, dieta, qira etj. Janë verifikuar rast pas rasti investimet e reja dhe janë shkurtuar ata sektorë që nuk janë prioritarë”, tha Dhëmbi. Më tej, debati u fokusua konkretisht te Ministria e Shëndetësisë, investimet e së cilës, sipas Braçes, janë reduktuar me rreth 5 miliardë lekë. Por sipas drejtoreshës së buxhetit në ministri, shëndetësia ka pasur një volum të ulët të investimeve, me rreth 10 për qind, ku disa zëra janë pakësuar e disa të tjerë janë rritur.

Zv/kryetarja e komisionit, deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, kërkonte të dinte më shumë rreth projektit të prezantuar nga Kryeministri Berisha për planin e huamarrjes me 3.2 miliardë euro. “Sipas llogarive të mia, i bie që ky borxh të arrijë deri në 64 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kërkoj të di sa kushton ky borxh”, iu drejtua Kodheli përfaqësueses së ministrisë. “Nuk kam të dhëna lidhur me atë që thoni dhe kjo nuk lidhet me buxhetin. Nesër (sot) vjen drejtori i borxhit dhe mund të japë më shumë sqarime. Megjithatë ne i kemi përfshirë shpenzimet e pritshme nga ky borxh dhe jemi brenda deficitit 3 për qind, si dhe brenda uljes së borxhit në 54 për qind deri në fund të vitit 2014”, tha Dhëmbi. Më tej debatet prekën shqetësimin e firmave të ndërtimit për faturat e papaguara të qeverisë ndaj punëve të kryera e të përfunduara me kohë. Edhe në këtë pikë, ministria paraqiti teza kundërshtuese, duke thënë se nuk ka asnjë firmë ndërtimi me borxhe të shkaktuara nga qeveria dhe se çdo faturë është paguar.

Buxheti i shtetit, i riu, parashikon rreth 39 miliardë lekë më pak shpenzime dhe gati 27 miliardë lekë më pak të ardhura, duke shkaktuar një reduktim të deficitit nga 4 për qind, në 3.1 për qind.

Top Channel