Spiunia humbet shtetësinë britanike

14/07/2010 00:10

Ana Çapmen, një ndër dhjetë spiunët e arrestuar prej SHBA-së dhe e ekstraduar më pas në Rusi, humbet edhe shtetësinë britanike të cilën e kishte fituar nga një martesë me shtetas britanik disa vite më parë.

Sipas BBC-së, veç humbjes së shtetësisë autoritetet britanike pritet të ndërmarrin edhe vendimin e shpalljes si person të padëshirueshëm ndaj saj, që do të thotë se Çapmen nuk do të mund të udhëtojë për në Britaninë e Madhe.

Çapman bënte pjesë në grupin e 10 personave të ndaluar nën akuzën e spiunazhit për një qeveri të huaj në SHBA, akuzë kjo e pranuar edhe nga vetë ata pas arrestimit.

Javën e shkuar avokati i saj deklaroi se klientja e tij, duke qënë se zotëronte pasaportën britanike, do të kishte dëshirë të rikthehej atje dhe jo në Rusi.

Spiunia tashmë ndodhet në Rusi falë marrëveshjes së shkëmbimit të agjentëve mes SHBA-së dhe Rusisë, marrëveshje kjo që u jetësua më 9 korrik në Vjenë të Austrisë.

Top Channel