“Vizat”, në parlamentet nacionale të 27-es

13/07/2010 22:10

Parlamentet e 27 vendeve anëtare duhet të shprehen mbi rekomandimin e Komisionit për liberalizimin e vizave ndaj Shqipërisë dhe Bosnjës, përpara votimit në seancë plenare nga Parlamenti Europian. (UPDATE)

Brenda 8 javësh, që llogariten nga 27 maji kur u dorezua zyrtarisht rekomandimi, ligjvënësit kombëtarë të Unionit mund të dërgojnë mendimin e tyre të motivuar ndaj 3 institucioneve europiane, duke treguar përse propozimi nuk përputhet me parimin e “subsidiaritetit”, term ky që përdoret në ndarjen e kompetencave mes institucioneve dhe vendeve anëtare në Bashkimin Europian.

Në rastin konkret, vendimi për kalimin e Shqipërisë dhe Bosnjës në listën e bardhë Shengen është kompetencë ekskluzive e Unionit.

Italia, Polonia, Finlanda, Suedia dhe Gjermania janë vendet që kanë treguar deri tani se do të shprehen mbi rekomandimin e Komisionit. Sipas modelit shpjegues, Bundestagu gjerman, dy dhomat e parlamentit polak dhe Kuvendi finlandez, nuk e kanë përfunduar ende proçesin e votimit. Ndërsa Senati italian dhe parlamenti suedez kanë sinjalizuar Parlamentin Europian se në propozimin e Komisionit ka çështje specifike që lidhen me principin e proporcionalitetit e subsidiaritetit. Senati italian paralajmëron edhe se duhet shkëmbyer informacion i rëndësishëm në këtë kontekst.

Propozimi legjislativ, përpiluar nga Komisioni, tregon se përcaktimi për vendet e treta që duhet të përjashtohen nga detyrimi për vizë, shqyrtohet me vlerësime rast pas rasti mbi kritere që lidhen me emigracionin ilegal, rendin publik e sigurinë, marrëdhëniet me jashtë të Bashkimit Europian me vendet e treta, si dhe sigurinë e dokumenteve të leshuara.

Bazuar në vlerësimet e 6 grupeve të ekspertëve dhe informacionet e marra nga dy vendet, Komisioni propozoi heqjen e regjimit të vizave me Shqipërine dhe Bosnjën, duke limituar lëvizjen e lirë për qendrim afatshkurtër vetëm ndaj personave të pajisur me pasaporta biometrike. Për Komisionin, ky vendim nuk sjell asnjë implikim për buxhetin e Unionit.  

Afati i fundit për reagimin nga parlamentet nacionale është data 28 korrik, sipas Parlamentit Europian. Ndërkohë që në notën zyrtare të Komisionit ndaj Këshillit theksohet se periudha nga 1-31 gusht nuk merret parasysh në afatin 8 javor, meqënëse konsiderohet si kohë e pushimit veror nga Institucionet europiane.  

Top Channel