Kubë, nisen në Spanjë 7 disidentët e parë

13/07/2010 11:45

Shtatë disidentë kubanezë, të sapo dalë nga burgu, bashkë me familjet e tyre janë nisur për në Madrid.

Bëhet fjalë për të parët mes 52 të burgosurve politikë të liruar nga regjimi i Havanës, falë një marrëveshjeje me kishën katolike, e cila parashikon largimin e tyre nga Kuba.

Shtatë personat, të shoqëruar nga agjentë të policisë, u bashkuan me familjarët e tyre që po i prisnin në aerport dhe janë nisur bashkarisht drejt Spanjës.

Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve bëjnë të ditur se ata pritet të mbërrijnë në kryeqytetin iberik gjatë orëve të drekës.

Ndërkohë, në ditët e ardhshme pritet që në Kubë të lirohet pjesa tjetër e 52 të burgosurve politikë.

Top Channel