Itali, blic kundër mafias, 300 të arrestuar

13/07/2010 08:00

Karabinierët dhe policia italiane kanë zhvilluar një superoperacion kundër krimit të organizuar kalabrez, duke arrestuar mbi 300 persona.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave në operacionin masiv, që i ka dhënë një goditje të fortë organizatës mafioze Ndrangeta, janë angazhuar 3 mijë policë.

Sipas burimeve, arrestimet janë kryer në Kalabri dhe rajone të tjera të Italisë. Akuzat që rëndojnë mbi të arrestuarit janë: veprime të tipit mafioz, trafik armësh, droge, vrasje, zhvatje të bizneseve, fajde dhe vepra të tjera të rënda.

Burimet shtojnë më tej se hetimet mbi organizatën kriminale kalabreze treguan zgjerimin e veprimtarive të saj në veri të Italisë dhe influencën në trafikun e drogës nga Amerika e Jugut.

Gjithashtu, përmes hetimeve të kryera u arrit të zbulohet se familjet mafioze në Rexho ishin strukturuar sipas modelit vertikal të Cosa Nostra-s.

Në operacionin e policisë u arrestua edhe kreu i kësaj aleance kriminale, Domenico Oppedisano, i konsideruar si bosi i bosëve.

Top Channel