Romë, protestë kundër qeverisë

07/07/2010 21:20

Mijëra qytetarë të Akuilas kanë mbërritur në Romë ditën e sotme, në një manifestim që kërkonte vëmendjen e qeverisë.

Ndërprerje taksash, vende pune dhe mbështetje për ekonominë, janë këto kërkesat e akuilanëve, të cilëve do t’u duhet duke nisur nga dhjetori i ardhshëm të paguajnë me 100% taksat, së bashku me ato të prapambeturat.

Grupit të manifestuesve akuilanë, ku përfshiheshin edhe sindakata, iu bashkangjitën në shenjë solidariteti edhe qytetarë nga Avelino dhe Palermo.

Manifestimi nuk pati asnjë ngjyrim politik, të paktën për sa u përket flamujve. Asnjë partiak, por vetëm ata të qytetit të Akuilas, të zinj dhe jeshilë, që në bazë të ngjyrave simbolizojnë zinë e shkaktuar nga tërmeti, dhe jeshilen e shpresës.

Gjithsesi nuk munguan thirrjet kunder qeverisë. Situata filloi të bëhej më e nderë kur grupi i manifestuesve u bllokua nga forcat e rendit pranë sheshit Kolona, i cili gjëndet pranë Parlamentit italian.

Shtyrjeve të protestuesve ata iu përgjigjën me shkopinj gome. Për pasojë, dy persona u lënduan. Por në trazira u lëndua edhe kryetari i bashkisë së Akuilas, Massimo Cialente, i cili tha se ishte shtypur me këmbë teksa përpiqej që të qetësonte ujërat mes manifestuesve.

Ata u përpoqën që të mbërrinin në disa destinacione, por nuk arritën të kalonin blloqet e forcave të rendit.

Në manifestim mbërritën edhe kryetari i opozitës Bersani dhe radikali Marco Panella, me ftesë të vetë manifestuesve.

Për Bersanin, ajo cka ndodhi ishte e patelorueshme, pasi qeveria nuk mund të pengojë një manifestim. Ai tha se po bëjnë luftë për cështjen e taksave dhe se Akuila është prioritet parësor.

Me pas protestuesit u nisën drej Senatit, por hasën sërish në bllokun e forcave të rendit. Ata donin që të mbërrinin atje, përpara se të mbyllej debati që po mbahej mbi manovrën ekonomike.

Pas një sërë negociatash, akuilanët ndërruan sërish itinerar, për t’u ndalur të gjithë bashkë në sheshin Navona.

Top Channel