Bendo, dëm shtetit 71 milionë lekë

20/06/2010 15:25

Të tre gjyqtarët që i dhanë të drejtë ish-ministrit Pango, duke cënuar rëndë gazetarinë investigative në Shqipëri, rezultojnë të kenë probleme gjatë ushtrimit të  profesionit të tyre si edhe gjykime të dyshimta.

Agim Bendo, siç shkruan edhe gazeta “Shqip”, në aktivitetin e tij si gjyqtar ka marrë masën “vërejtje” nga KLD-ja në vitin 2000. Inspektorati gjatë kontrollit vërejti shkelje në proçedurat e ndjekura nga Bendo, dhe mori masën e vërejtjes.

Bendo më herët rrezikonte të merrte një tjetër dënim nga KLD-ja, për vendimin e dhënë ndaj ish-kryeministrit Nano me tetë vjet burg, pasi ky i fundit mori pafajësinë, dhe e njejta gjykatë shpjegoi se vendimi i dhënë prej tij kishte të meta të theksuara ligjore.

Zoti Nano u shpall i pafajshëm më pas dhe përfitoi plot 71 milionë lekë nga shtetit shqiptar, dëmshperblim për vitet e burgut, para nga taksapaguesit shqiptarë dhe një dëm që atyre ua ka shkaktuar, mes të tjerëve, gjyqtari Agim Bendo.

Pas pafajësisë së marrë nga zoti Nano, gjyqtari Bendo nuk mori masë disiplinore për faktin se vetë kryeministri publikisht deklaroi se kjo do të konsiderohej si një hakmarrje personale pavarësisht faktit se, Bendo kishte shkelur rëndë ligjin.

Vetë gjyqtari në karrierën e tij gjyqësore ishte përballur me refuzime për ngritje në karrierë nga parlamenti shqiptar. Për nëntë vjet me radhë Bendo ka qënë specialisti juridik i Kuvendit Popullor gjatë viteve të komunizmit.

Vendimet më të kontestueshme të Bendos janë shpallja të pafajshëm të dy mjekëve që akuzoheshin për mjekim të pakujdesshëm me pasojë vdekjen e nje foshnje 16 muajshe. Rrëzimi i padise civile të viktimave të Gërdecit për dëmshpërblim, padi e ngritur nga familja Kodra, që Bendo e cilësoi si padi të metë dhe të paplotë. Nisur edhe nga kjo çështje e fundit, duket se Agim Bendo në vendimet e tij, penalizon gjithmonë viktimat dhe denoncuesit, duke mbrojtur abuzuesit.

Rreth tre vjet më parë, një raport i Ministrisë së Drejtësisë, zbuloi një skandal, sipas së cilit mjekoligjorët dhe gjyqtarët lironin të dënuarit me pretendimin se ishin të sëmurë. Në një nga rastet e publikuara nga ministria në atë kohë, Bledar Abdullai, rezultoi i përfshirë se kishte liruar një të burgosur.

I burgosuri që liroi Abdullai çuditërisht ishte dënuar për “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç” dhe “Rrëmbim personi në rrethana lehtësuese”.

Për Abdullain rezultoi të kishte probleme mendore prandaj e la të lirë. Gjyqtari Abdullai hyri në konflikt për çështje pronësie edhe me një nga komunitetet fetare në Shqipëri, pak muaj më parë. Pak pas gjyqit komuniteti denoncoi çrregullimet ligjore duke deklaruar se gjyqtari Abdullai gaboi rëndë, me dashje, duke vendosur masën për ekzekutim të përkohshëm mbi pasurinë e një komuniteti fetar, i cili e ka atë me çertifikatë pronësie”.

Ndërsa Majlinda Doga, që çuditërisht i ka shpëtuar penalizimeve të KLD-së disa herë, dha vendimin për shitjen e firmës së Fazlliç,  për llogari të një firme qipriote. Praktika ligjore e ndjekur për shitjen u denoncua publikisht edhe nga raportet e prokurorisë.

Top Channel