KLSH: MASH, pajisje false për shkollat

13/06/2010 08:05

Një ndër projektet më madhore të qeverisë është dixhitalizimi i shkollave fillore dhe të mesme.

Projekti u vendos në prioritetin kryesor, ndërsa fondi prekte vlera disa miliardë lekësh, me qëllim realizimin në kohë dhe cilësor, sipas premtimit të Kryeministrit. Synimi ishte pajisja e të gjitha shkollave me laboratorë informatike, që përmbanin kompjuterë dhe internet, përfshi edhe aksesorë të nevojshëm, në mënyrë që nxënësve të mos u mungonte asgjë.

Duke parë kontratat e lidhura mes Ministrisë së Arsimit dhe kompanive private, tre vjet pas nisjes së projektit, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton shkelje të rënda, me pasoja për buxhetin e shtetit dhe për moralin e nxënësve, pasi pajisjet elektronike rezultojnë false dhe jo të plota. Tenderi me shkelje kap vlerën e 3.7 milionë dollarëve.

KLSH-ja e nisi kontrollin në muajin nëntor të vitit të kaluar, për periudhën e aktivitetit të Ministrisë së Arsimit, nëntor 2008-tetor 2009, me objekt shqyrtimin e “kontratave të furnizimit”.

Në morinë e shkresave, KLSH-ja merr nën kontroll pikërisht kontratën që MASH-i kishte lidhur me dy kompani të huaja për “furnizimin dhe instalimin e laboratorëve të informatikës për shkollat e arsimit bazë, bazuar në strategjinë dhe kritere të përcaktuara”, i financuar në kuadrin e projektit “Cilësi dhe barazi në arsim”. Projekti në fjalë bëhet në kuadër të tri vendimeve të qeverisë me disa institucione financiare, si BEI apo IDA, të cilat kishin marrë përsipër të mbështesnin ministrinë.

Nga shqyrtimi i dokumenteve KLSH-ja konstaton një sërë shkeljesh, duke filluar që te lidhja e kontratës, furnizimi i shkollave me pajisje, pagesat dhe cilësia e mallit. Kontrata e lidhur mes MASH-it dhe dy kompanive të huaja, më 28 nëntor 2008, kapte vlerën e 3.7 milionë dollarëve. Për të zbatuar dhe monitoruar nga afër projektin, ministri i Arsimit urdhëron ngritjen e një grupi të posaçëm pranë ministrisë, detyrat e të cilit ishin: ndjekja ditore e në dinamikë të zbatimit, sipas grafikut të shpërndarjes në kontratë, si dhe përgatitjen e raporteve javore mbi ecurinë e projektit dhe verifikimin në terren i ndërtimit të laboratorëve.

Nga kontrolli i kryer prej përfaqësuesve të autorizuar të KLSH-së rezultoi se ka munguar dokumentacioni i plotë i grupit të punës dhe janë paraqitur vetëm disa informacione të grupit tjetër të punës të ngritur me urdhër të ministrit nr. 25, datë 09.02.2009, me detyrë verifikimin e plotësimit të specifikimeve teknike.

“Në praktikën dokumentare të zbatimit të kontratës, konstatojmë mangësi të shoqëruara me pasoja për cilësinë e kabineteve të ngritura të informatikës dhe me efekte negative në përdorimin e fondeve publike, pra pa efektivitetin e duhur, të shkaktuara nga mungesat materiale, zhdoganime të materialeve (UPS-a origjina Kina) që nuk kanë përfunduar në MASH etj.”, thotë raporti i KLSH-së.

Po ashtu, janë firmosur faturat doganore, pa u plotësuar kërkesat teknike të kontratës, pa dërgimin e mallit në objekte (shkolla), pa kolaudimin e marrjen e tij në dorëzim, si dhe pa vlerësuar treguesit (parametrat) teknikë e specifikimet teknike sipas kontratës. “Ky veprim është bërë në përgjigje të kërkesës nga firma furnizuese më 29 janar 2009, për t’i firmosur 16 faturat doganore me vlerë 3.333.271 USD dhe TVSH e paguar prej 66.777.104 lekësh, drejtuar kompanisë tjetër bashkëpunuese dhe për dijeni të një banke private (garant).

Pagesa e bërë nga MASH-i konfirmonte mbërritjen e pajisjeve në Shqipëri, por që në fakt grupi i punës nuk i kishte verifikuar materialet, sikurse e parashikon ligji, i cili thotë se: Vlerat materiale të blera ose furnizuara verifikohen për sasinë, cilësinë, llojin dhe markën e prodhimit nga një komision i posaçëm që miratohet prej drejtuesit të institucionit. Pra, qeveria kishte shlyer faturat për një mall që nuk e dinte nëse ishte i duhuri, edhe pse koha e verifikimit ishte 30 ditë. Në fakt, pas verifikimeve të bëra nga KLSH-ja, pajisjet e porositura prej MASH-it nuk i përmbaheshin kontratës. Pas mbërritjes së mallit, ministri kërkon informacion rreth përmbajtjes së porosisë.

“Në informacionin e datës 02.04.2009, grupi i punës ka pasqyruar mangësi në plotësimin e specifikimeve teknike si: karta grafike nga 512 MB është 256 MB dedicated, mungesë aktivizimi të Windous Vista Starter etj.”, thotë KLSH-ja. Po ashtu MASH-it i janë sjellë UPS, të cilët sipas specifikimeve teknike, duhet të ishin MUSTEK POWERMUST 800 PRO dhe origjina nga Kina, por rezulton se nuk janë prodhim kinez, por prodhim nga Turqia. “Ky mall nuk është sipas kontratës, produkti nuk ka emër (ka një etiketë të ngjitur) dhe nuk ka parametrat teknikë të kërkuara”, thotë KLSH-ja, duke shtuar se ministria nuk ishte shqetësuar aspak për këtë problem, por vetëm pasi nis hetimi.

Po ashtu, kontrata për dorëzimin e pajisjeve elektronike mbante firmën e njërës palë dhe kishte shumë pasaktësi, ndërsa probleme kishte edhe me shoqërinë nënkontraktore shqiptare, e cila punoi pa fatura, duke kryer evazion. Tjetër shkelje lidhej me doganën e paguar nga Ministria e Arsimit, që në fakt duhet ta kishte kryer shoqëria private. Lidhur me pajisjet UPS, KLSH-ja del me konkluzionin se, “pothuajse në të gjitha shkollat mungonte akti i kolaudimit dhe i marrjes në dorëzim dhe drejtuesit në rastet që kanë nënshkruar, nuk kanë pasur dijeni mbi procedurën që duhej ndjekur. Është konstatuar se UPS (6860 copë) e dërguara në shkolla ndryshonin nga ato të kontratës, me etiketë të ngjitur jo origjinale dhe në disa shkolla nuk punonin. Për të gjitha këto mangësi ministri i Arsimit ka pasur dijeni nga këshilltari i tij”, raporton KLSH-ja. Kontrolli i Lartë i Shtetit bën direkt përgjegjës ministrin, i cili “duhej të kishte bërë reklamimin e mangësive e mospërputhjeve dhe duhej të kërkonte që malli i ofruar, të ishte i certifikuar në nisje dhe zhdoganuar në doganën shqiptare (Hani i Hotit) dhe jo të pranonte mall të falsifikuar”. 

Top Channel