Përcillet poeti Ndoc Gjetja

08/06/2010 20:25

Në qytetin e Lezhës janë zhvilluar homazhe në nder të poetit Ndoc Gjetja i cili humbi jetën pas një sëmundjeje të rëndë.

Qytetarë të Lezhës, të afërm dhe miq të poetit i kanë dhënë nderimet e fundit poetit, para përcjelljes së tij në banesën e fundit.

Zëvendësministri i Kulturës Nikollë Lesi tha se Ministria e Kulturës do t’i propozojë presidentit, dekorimin e poetit.

“Poezia e Ndocit është një poezi krejt origjinale. Është një idealist i madh, ishte dhe mbetet një poet dhe intelektual i madh. Ne do t’i propozojmë presidentit Topi që ta vleresojë pas vdekjes me një titull për veprën e tij”, tha Lesi.

“Gjithë jetën e tij ia ka kushtuar idealeve dhe shumë prej poezive të tij janë shumë të lexueshme dhe kuptueshme”, pohoi shkrimtari Bardhyl Londo.

“Ishte një njeri që jetoi brenda thjeshtësisë së tij. Ai jetonte të jepte shumë dhe merrte pak”, deklaroi shkrimtari Preç Zogaj.

Ndoc Gjetja u lind më 9 mars të vitit 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës.

Në fillim të viteve 50 familja e tij u zhvendos në Lezhë, ndërsa në fillim të viteve 70 nisi të botonte poezitë e para. Ai është autor i disa vëllimeve poetike dhe në mënyrë të padyshimtë një nga poetët më të spikatur në letërsinë shqipe bashkëkohore.

Ndoc Gjetja është cilësuar “poet humanist”, profesionin e tij ai e cilësonte, thurrës endrrash dhe mbrojtës besnik i tyre. Në vitin 1971 botoi vëllimin e parë poetik “Rrezatim”, pastaj erdhën gjashtë botime të tjerë: “Shqiponja rreh krahët” ne vitin 1975, “Qëndresa” në vitin 1977, “E përditshme”  në vitin 1982, “Çaste” në vitin 1984, “Poezi” në vitin 1987, “Kthimet” në vitin 1991 dhe libri me poezi “Dhjata ime”  në vitin 1998.

Prej 13 vjetesh Ndoc Gjetja ka qenë kryeredaktor i revistës “Skenës” dhe bashkë me poezinë, ajo është një nga dy gjërat më të rëndësishme që Gjetja i ka dhënë kontribut real në shoqëri. Ndoc Gjetja është “Qyetar Nderi” i Lezhës dhe qyteti ku ai dha aq shumë e ka përcjellë me nderime për në banesën e fundit.

Top Channel