Rama: Qeveria po rrënon cdo ditë ekonominë

04/06/2010 12:40

Kryetari i PS, Edi Rama ka denoncuar në një konferencë për shtyp gjëndjen e rëndë ekonomike në të cilën ndodhen familjet shqiptare.

Gjatë fjalimit të tij Rama është shprehur se në vend ka rënie të prodhimit dhe rënie të eksporteve, në mënyrë të ndjeshme krahasuar me një vit më parë.

“Familjet shqiptare po vuajnë dita ditës përkeqësimin e ekonominsë. Sa për eksportet, rënia e tregtimit të makinave të punës tregon se ka një rënie të vendeve të punës dhe prodhimit në vend. Nëse në vlerë shifra zyrtare është 19% rënie dhe nëse fusim këtu rënien e euros dhe dollarit kemi 25 për qind rënie krahasuar me një vit më parë. Që do të thotë se s’ka asnjë vend për punësim”, ka deklaruar Rama.

Kreu i PS ka kritikuar gjithashtu qeverinë për ndryshimin e një sërë ligjesh, të cilat sipas tij nuk kanë sjellë asgjë pozitive, por kanë rrënuar edhe më tej ekonominë shqiptare.

“U ndryshua për të nëntën herë në 4 vjet ligji i akcizave, që ishte ndryshuar vetëm 4 muaj më parë dhe në 57 muajt e qeverisjes Berisha ka ndryshuar linja tatimore 52 herë”, ka nënvizuar Rama, duke shtuar se kjo tregon mungesën e vizionit të zhvillimit tek qeveria.

“Kjo është shprehje domethënëse e mungesës së plotë të vizionit se si duhet të zhvillohet ekonomia. Qeveria e këtij vendi nuk ka prioritet ekonominë, por pasurimin e oborrit të pushtetit. Grabitja e votës nuk i hapi asgjë më të mirë vendit, por shtrëngimin e ekonomisë dhe rrënimin e saj në familjet shqiptare”, ka shtuar Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA