Kriza, konsumatorët shtojnë pesimizmin

17/05/2010 08:00

Konsumatorët varën më shumë buzët gjatë tremujorit të parë të këtij viti dhe pesimizmi i tyre për gjendjen ekonomike të vendit u ul edhe më tej, thuhet në rezultatet e një sondazhi që financohet nga Banka e Shqipërisë.

“Treguesi i besimit të konsumatorit (TBK) ra me 2.4 pikë përqindjeje gjatë tremujorit të parë të vitit 2010. Niveli i këtij treguesi, i cili ka vijuar prirjen rënëse që nga tremujori i tretë i vitit 2009, aktualisht zbriti poshtë mesatares së tij afatgjatë”, thuhet në rezultatet e sondazhit.

Rreth 46 për qind e të intervistuarve presin që niveli i papunësisë të rritet në muajt në vazhdim dhe vetëm 16.6 për qind e tyre presin që të ulet. Në krahasim me sondazhin paraardhës, më shumë shqiptarë presin rritje të papunësisë. Afro gjysma e shqiptarëve kanë shtyrë për më vonë blerjet e mëdha ndërsa shumica e tyre besojnë se do të arrijnë të kursejnë më pak gjatë këtij viti.  

Krejt e ndryshme ka rezultuar gjendja shpirtërore e industrisë gjatë periudhës janar-mars të këtij viti. Sipas rezultateve të sondazhit, biznesi është optimist se shitjet do të fillojnë të rriten, por megjithatë, shumica e të intervistuarve nuk parashikojnë investime të reja për shkak të pasigurisë së lartë ekonomike.

Pavarësisht vlerësimeve më negative për situatën e përgjithshme ekonomike, vlerësimi i bizneseve të shërbimit për aktivitetin e tyre, si dhe për kërkesën, ka qenë pozitiv në tremujorin e parë të vitit 2010. Krahasuar me tremujorin e kaluar, bizneset kanë vlerësuar në një shkallë më të lartë gjendjen e rendit, të sigurisë dhe atë politike, si faktorë që pengojnë aktivitetin normal të tyre. Situata e ekonomisë informale dhe problemet infrastrukturore vijojnë të cilësohen si faktorë pengues të aktivitetit të bizneseve në sektorin e shërbimeve.

Rreth 64.8 për qind e bizneseve shprehen se nuk kanë kryer investime të  reja në gjashtë muajt e fundit. Ndërsa 35.2 për qind e bizneseve që kanë kryer investime të reja në gjashtëmujorin e fundit shprehen se ato janë përqendruar kryesisht në pajisje.

Shfrytëzimi i kapaciteteve të sektorit të shërbimeve gjatë tremujorit të parë të vitit 2010 rezultoi 66.0 për qind, rreth 4.7 pikë përqindjeje më i ulët krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

“Bizneset e sektorit të shërbimeve presin rigjallërim të aktivitetit të tyre në tremujorin a ardhshëm. Në të njëjtën linjë janë edhe pritjet për situatën e punësimit dhe kërkesën në këtë sektor”, thuhet në rezultatin e vrojtimit.

Vrojtimi i sjelljes së biznesit dhe konsumatorit është një praktikë e njohur ndërkombëtare për të kuptuar gjendjen e ekonomisë së një vendi jashtë kuadrit të statistikave formale. Një numër konsumatorësh rastësorë, si dhe drejtuesish biznesesh të të gjitha madhësive, intervistohen për të parë gjendjen e tyre shpirtërore. Tendenca e përgjithshme ekonomike, sipas rezultateve të sondazheve, filloi të përkeqësohej që në tremujorin e fundit 2008 dhe shënoi nivelin më të ulët në periudhën janar-mars 2009. Që nga ajo kohë, pritshmëritë e shqiptarëve janë përmirësuar, por optimizmi gjendet ende poshtë mesatares së vet historike.  

Top Channel