Delegacioni i Parlamentit të Arabisë Saudite, i drejtuar nga kryetari i Komitetit të Miqësisë Arabi Saudite-Shqipëri, Muhammed bin Sa`ad Alsalim, vizitoi dje rektoratin e Universitetit të Tiranës.
Delegacioni i përbërë nga 7 prej 150 deputetëve të Parlamentit saudit zhvilloi një takim me rektorin Kule e më pas kryetari i delegacionit Alsalim mbajti një referim mbi Arabinë Saudite, funksionimin e Parlamentit saudit dhe arsimin e lartë në Arabi.
Gjatë fjalës së tij, rektori Kule përshëndeti vizitën e këtij delegacioni të nivelit të lartë dhe falënderoi Arabinë Saudite për ndihmën ekonomike që i ka dhënë Shqipërisë, përfshi këtu edhe investimin në filialin e Kukësit, si edhe për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës.
“Një prej investimeve të Arabisë Saudite është ndier edhe nga Universiteti i Tiranës, ky investim mundësoi funksionimin e filialit të universitetit në qytetin e Kukësit”, theksoi Kule. Kryetari i delegacionit, Muhammed bin Sa`ad Alsalim vendosi theksin në bashkëpunimin në rritje midis dy vendeve, duke lënë të hapur mundësinë e financimit arab për projektin madhor të infrastrukturës së Universitetit të Tiranës.
“Universiteti juaj është krijuar përafërsisht në të njëjtën datë me një nga universitetet më të vjetra të Arabisë. Unë e shoh këtë si një ogur të mirë për bashkëpunimin akademik dhe ekonomik”, sqaroi Alsalim. Më pas ai deklaroi se universitetet arabe janë të hapura për të pranuar studentë shqiptarë dhe se nuk ka kufizime për pranimin e tyre, përveçse kritereve akademike dhe konkurrencës së fortë.
Top Channel