Mirditë, mbyllet shkolla, nxënësit shkojnë me dhi

06/05/2010 09:30

Në kuadër të reformës në arsim, Ministria e Arsimit ka mbyllur shkollën nëntëvjeçare në fshatin Xhuxhë, në Rrethin e Mirditës.

Kjo ka bërë që lista e nxënësve analfabetë të shtohet për ditë e më shumë. Fëmijët e fshatit Xhuxhë, në vend të çantave me libra, prej një viti janë kthyer në barinj të bagëtive, duke harruar të shkruajnë dhe të lexojnë.

“Nuk shkojmë në shkollë, sepse këtu shkolla është mbyllur. Unë kam shumë dëshirë të shkoj në shkollë, por nuk kemi çfarë të bëjmë”, shprehen fëmijët.

Të vegjlit thonë se do të bënin çdo sakrificë që të shkolloheshin, por paradoksi lidhet me faktin se në këtë fshat, ku jetojnë 50 familje, është ndërtuar një shkollë që në vitin 2003 me financim të një fondacioni austriak.

Në shkollë nuk ka më as zhurma, as nxënës, as mësues, atje mbizotëron vetëm heshtja.

Mosplotësimi i numrit të nxënësve në shkollë ka bërë që të mbyllet shkolla, ndërsa askush nuk është kujdesur për dërgimin e fëmijëve të tjerë në shkollë.

 

Top Channel