Është ora 10 e 45 minuta. Në klasën e 9-të në shkollën “1 Maji” po zhvillohet lënda e anglishtes.

Ashtu sikurse e kërkon edhe lënda pyetje-pergjigjet zhvillohen në gjuhën angleze.

Jo të gjithë janë të vëmendshëm. Tea dhe Kristi janë dy nga nxënësit që i kushtojnë më shumë rëndësi mësimit të fjalëve të reja dhe formulimit të saktë të fjalive.

Përkushtimi dhe pjesëmarrja e tyre gjatë mësimit është e admirueshme. Ata janë edukuar me mësimin e gjuhës së huaj paralelisht me atë amtare.

“Anglishten kam filluar ta mësoj që në klasë të shtatë dhe nuk ka qenë e vështirë”, thotë Tea.

“Une lexoj shumë libra anglisht dhe kjo ma bën më të lehtë mësimin e gjuhës”, tregon Kristi.

Dy 15 vjecarët janë ende të vegjël për të marrë përgjegjësi për jetën, por e dinë mirë rëndësinë e mësimit të një gjuhe të huaj.

“Për mua anglishtja është kryesore sepse shumica e botës dinë të flasin anglisht”, shprehet Tea.

“Për mendimin tim është shumë e rëndësishme sepse do na duhet më tej në jetë”, thotë Kristi.

“Fëmijët gjuhët e huaja kanë filluar t’i mësojnë shumë kohët e fundit. Metodat janë shumë të mira sepse përmbajnë pamje vizuale dhe sigurisht duhet të kenë përkthimin elementar dhe ato janë përpunuar që të jenë të përshtatshme për moshat e vogla”, tregon Erina Toslluku, mësuese prej dy vitesh në klasat e teta dhe të nënta.

Ajo tregon se etja e të rinjve për gjuhët e huaja është e admirueshme.

“Vetë proçesi i globalizimit të çon drejt mësimit të një gjuhe dhe është shumë e nevojshme për t’u punësuar”, tregon Erina.

Zgjedhja e brezit te ardhshëm duket se i përgjigjet më së miri kërkesave të kohës.

“Mësimi i gjuhëve ishte i ngushtuar, por kishte disa shkolla ku mësohej gjuha frenge dhe angleze. Në vitet 80 u fut dhe gjuha gjermane, spanjolle dhe italiane”, shprehet Klodeta Dibra, dekane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.

Në një kohë kur mediat janë bombarduar me telenovela në gjuhën spanjolle apo italiane është rritur edhe ndjeshmëria ndaj këtyre gjuhëve duke treguar më pak interes për frëngjishten që ruan sharmin e gjuhës së sofistikimit intelektual.

“Ndoshta duhet të ndryshohet politika e mësimit të gjuhës nëpër shkolla dhe fëmija duhet të zgjedhë vetë gjuhën që do të mësojë”, shprehet Klodeta.

Përballë kësaj dyndjeje të kulturave të huaja, për studiuesit shqetësuese është mosnjohja e mirë e gjuhës së nënës, shqipes.

“Tek të rinjtë sot vihet re një dukuri që nuk dinë të shkruajnë mirë gjuhën amtare. Përpara se të mësosh një gjuhë të huaj është shumë e rëndësishme që të mësohet gjuha amtare”, thotë Klodeta.

“Të flasësh në gjuhë të huaj duhet të mendosh në gjuhë të huaj. Por në momentet e përkthimit është shumë e nevojshme të dihet gjuha e nënës”, shprehet Shezai Rrokaj, dekani i Fakultetit të Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe.

Ai ka një shprehje të tijën: “Për një gjuhë të pastër duhet një mësues, një libër dhe një kulturë e mirë”.

Megjithë shqetësimet e studiuesve për të cilat do të mendojë koha, të njohësh një gjuhë të huaj do të thotë t’i japësh mundësi vetes për të parë përvojën e një populli tjetër pa qenë nevoja ta vizitosh.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel