Skema e pensioneve, thellohet gropa për qeverinë

30/03/2010 16:40

Deficiti i skemës se sigurimeve shoqërore ështe rritur. Të dhënat më të fundit zyrtare tregojnë se në vitin 2009, skema e sigurimeve pati rezultatin më të keq financiar të 5 viteve të fundit, ku qeverisë iu desh të paguajë 55 milionë dollarë nga buxheti për të mbuluar pensionet.

Krahasuar me një vit më parë deficiti i skemës gati u dhjetëfishua.

Ky është vetëm deficiti primar, i cili nuk mban parasysh pagesat që derdh qeveria për një sërë kategorish të caktuara si invalidët apo dhe ato për programet speciale. Nëse do të llogariteshin dhe këto zëra, për vitin 2009, fatura e skemës që është mbuluar nga buxheti arrin në 270 milion dollare.

Edhe pse numri i kontribueseve ka ardhur në rritje, sërish Shqipëria mbetet një nga vendet me raportin më të ulët kontribues përfitues, 1.4 me 1 kur përllogaritjet tregojnë se që skema të jetë e qnëdrueshme për të paktën 30-40 vjet raporti duhet të jetë 3 kontribues për një përfitues.   
 
Parashikimet janë që bilanci financiar i skemës së sigurimeve të vazhdojë të përkeqësohet, pasi vitet e fundit, ritmi i rritjes së të ardhurave është ngadalësuar. Nëse në periudhën 2005-2007 të ardhrat janë rritur mesatarisht me 11-14 për qind në vit, në 2009 rritja ishte vetem 4.4 për qind

Top Channel