Fier, u pritet energjia 450 klientëve

29/03/2010 08:20

Pagesa e faturave të energjisë së konsumuar mbetet ende një shqetësim i madh për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes në filialin e Fierit.

Përpilimi i listave të debitorëve nga dega e shitjes ka nxjerrë që numri i konsumatorëve, të cilët i janë shmangur pagesës së energjisë elektrike që kanë harxhuar, shkon në 1200. Këtu përfshihen si abonentët privatë, familjarë, por edhe institucione shtetërore etj.

Zyrtarisht filiali i OSSH-së së Fierit deklaron për gazetën “Shqip” se “debia lidhur me faturat e pashlyera të energjisë elektrike shkon në më shumë se 3.03 miliardë lekë. “Kjo debi është e mbartur ndër vite. Jo vetëm ujësjellësit që janë debitorët kryesorë, por edhe abonentët familjarë përbëjnë një shifër të konsiderueshme për debinë që kanë. Ndërsa për debitë e institucioneve po kryhen tratativa, për debitë e familjarëve dhe të privatëve po aplikohet shkëputja e energjisë”. Kështu është shprehur drejtori i filialit të OSSH-së së Fierit, Sotir Sinani.

Shuma e debisë që regjistron zona energjetike e Fierit zë 5% të sasisë në të gjithë vendin. Edhe pse në kuota të vogla në krahasim me rrethet e tjera, po i kushtohet një vëmendje e veçantë kontrollit të konsumit të energjisë.

Humbjet në rrjetin energjetik të Fierit, si shkak i lidhjeve jo të rregullta, si dhe si shkak i faturimeve abuzive përllogaritet nga drejtuesit e filialit në masën 15-20 për qind. Por, së bashku me amortizimin e rrjetit, humbjet shkojnë në më shumë se 33 për qind. Më parë humbjet në rrjetin shpërndarës të Fierit shkonin në më shumë se 39 për qind. Metodat shtrënguese kanë ulur këtë shifër humbjesh, por nuk e kanë eliminuar fare atë.

Top Channel