Kënga raciste e 2007-ës e ushtarëve grekë

28/03/2010 20:55

Incidenti i rëndë me thirrjet antishqiptare pas paradës ushtarake për nder të festës kombëtare, ishte i fundit i një serie incidentesh.

Në fakt, vargje të tilla janë të përhapura në radhët e ushtrisë greke. Tre vjet më parë, fyerje të njëjta u dëgjuan edhe në një tjetër video të publikuar nga gazeta « Ta Nea », që krijoi, jo pak polemika në Shqipëri.

Në videon e shfaqur në Shqipëri në 2007-ën autoritetet tona reaguan zyrtarisht një ditë më pas. Zv/ministri i atëhershëm i mbrojtjes Petrit Karabina në një komunikim për shtyp e cilësoi aktin skandaloz për një vend anëtar të NATO-s.

Më datë 5 mars, që binte e hënë, Parlamenti debatoi në seancë plenare për ngjarjen. Ministri i Jashtem i asokohe Besnik Mustafaj pranoi se qeveria shqiptare kishte reaguar në rruge diplomatike ndaj skandalit. Por shtoi se marrëdheniet me shtetin fqinj nuk duhen cenuar.

Shqipëria ishte përpara marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO dhe qëndrimi i Greqisë ishte vendimtar. Shqipëria nuk dëshironte që fqinji jugor të vinte veton kundër, sic bëri pas një viti me Maqedoninë.

Edhe deputetë të tjerë si të mazhorancës edhe të opozitës që folën me tone të ashpra për skandalin, u treguan të rezervuar, duke kërkuar që marrëdhëniet me Greqinë të mos cënoheshin.

Një ditë më pas, në Komisionin e Politikës së Jashtme të Kuvendit, kryetari i atëhershëm Prec Zogaj vlerësoi reagimin e pales greke, që kishte kërkuar falje.

Reagimi më i fortë erdhi nga një grup të rinjsh në Sarandë, që dogjën tre flamuj greke. Në miting nuk munguan parulla ekstremiste si “Poshtë Greqia” apo “Vdekje nacionalistëve”.

Një ditë më pas reagoi Organizata “Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek”, e njohur si Omonia. Omonia dënoi djegien e flamujve, që sipas saj fyejnë ndjenjat kombëtare të një populli dhe nxisin prishjen e marrëdhënieve të mira mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Asokohe, pas një hetimi të brendshëm, autoritetet greke identifikuan ushtarakët që paraqiteshin në video. Drejtësia ushtarake greke përgatiti padi për komandantin, shefin e stërvitjes dhe një rreshter profesionist të kësaj njësie, por jo për ushtarët, pjesa më e madhe të cilëve ishte liruar nga ushtria.

Top Channel