Ministria e Transporteve ka lëshuar këto ditë udhëzimin e ri mbi procedurën që do të ndiqet për kontrollin fizik të automjetit në pikat e kolaudimit.
Duket se aksidentet e shumta, një pjesë e të cilave lidhen me gjendjen e mjetit, detyrojnë autoritetet të shtrëngojnë masat e kontrollit në pikat e shërbimit të transportit rrugor.
Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor sqarojnë për “Shqip” se udhëzimi i ri nuk pëson ndonjë ndryshim thelbësor, por i përafrohet standardeve të Bashkimit Europian. Përmes direktivës së BE-së, kontrolli i mjeteve do të kalojë në një proces të detajuar, duke ndjekur me përpikëri manualin.
Sa u takon afateve, kolaudimi i makinave do të vijojë me rregullin aktual, pra një herë dhe dy herë në vit, në varësi të mjetit të transportit. Aktualisht kolaudimi i makinave është në dorë të francezëve, falë garës së koncesionit zhvilluar vitin e kaluar.
Procedura
Rezultati i kontrollit të mjetit do të jetë i ndarë në tre kategori, pra gjendje e mirë e makinës, gjendje problematike por që nuk përbën rrezik, si dhe gjendje e rëndë me rrezik. Afati kohor i kryerjes së KTP-së (Kontrolli Teknik Periodik) të detyrueshëm është 6 muaj pas kryerjes së KTV (vjetore) të detyrueshëm dhe kryhet për të gjitha mjetet rrugore si: taksitë, mjetet rrugore që përdoren për qëllime mësimore në autoshkolla, autoambulancat, autoveturat me 8+1 vende, duke përfshirë dhe vendin e drejtuesit të mjetit, autobusët dhe mjetet rrugore që përdoren për transportin e mallrave të rrezikshme.
Tarifat
Kontrolli teknik i detyrueshëm i mjeteve rrugore kryhet sipas tarifave të miratuara nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit. Tarifat e Rikontrollit Teknik të mjeteve rrugore janë të ndryshme, në varësi të gjendjes së mjetit. Në rast të Rikontrollit Teknik të parë brenda një periudhe prej 30 ditësh nga dita e Kontrollit Teknik të parë është 40 për qind e tarifës së Kontrollit Teknik të miratuar nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit në rast të përdorimit të linjave të kontrollit dhe është 20 për qind e tarifës së Kontrollit Teknik të miratuar nga Ministria e Transportit në rast të mospërdorimit të linjave të kontrollit.
Për çdo Rikontroll Teknik të mëpasshëm, pavarësisht numrit të tyre brenda periudhës prej 30 ditësh nga dita e kontrollit të parë, tarifa e Rikontrollit Teknik është 50 për qind e tarifës së Kontrollit Teknik të miratuar nga ministria në rast të përdorimit të linjave të kontrollit dhe është 20 për qind e tarifës së Kontrollit Teknik të miratuar nga Ministria e Transportit në rast të mospërdorimit të linjave të kontrollit.
Top Channel