Është ora 19:00. Për shumë-kënd kjo është koha e pushimit pas një dite të lodhshme, por për Kosta Nesorin puna e tij fillon tani.

51–vjecari është mjek pranë urgjencës së Tiranës, detyrë të cilën e kryen prej 18-vitesh. Motoja e tij në një mbrëmje është qetësia, ndonëse turni s’kalon kurrë i qetë. “Nata është e qetë për ata që flenë, në urgjencë nuk është kështu. Nata eshtë e lodhshme, turni bëhet në kushte pagjumësie, tani jemi herët po nga ora 2-3 jemi lodhur, ndërkohë që na duhet të vrapojmë”, shprehet ai.

Mbrëmja sapo ka shkelur pragun e mesnatës dhe thirrjet për ndihmë nisin vrullin. Është vetëm fillimi i një turni të gjatë e ku finalja është ende larg. “Ne sot do të punojmë nga ora 7 e mbremjes deri ne 7 të mëngjesit, 12 orë. Puna e mjekut të urgjencës është më e vështira e sistemit shëndetësor. Natë, kushte familjare etj“, shton Kosta. Ekipet e turnit të natës i përforcojnë edhe femrat.

Anila Mazreku, është infermierja e një prej 4 ekipeve mjekësorë të turnit. Ajo ka braktisur shtëpinë për 12 ore, për t’u përfshirë në një mision të pazakontë. “Eshtë vështirësi goxha e madhe, sepse i bie të merresh me lloj-lloj të sëmurë. Mund të jenë të pirë, ekspresivë, por e përballojmë”, pohon Anila. Nata në këtë punë i sjell të gjitha, e kjo grua pranon të punoje me vështirësitë që i sjell cdo rast urgjence.

“Kur nisem për një turn nate uroj të mos këm përplasje e raste të rënda, mos më ngelet pacienti në dorë. Ka momente shume të vështira, ndodh që një rast të rëndë duhet ta manipulosh shpejt, e kur janë vetëm ta bësh t’i transportin me barrelë nga katet e larta”, thotë Anila. Të gjitha keto përfshihen në një rutinë normale të punës së turnit të natës. Vështirësitë mjekët i kalojnë përtej kësaj.

“Ndihemi të rrezikuar, nuk jemi të mbrojtur. Na vijnë me armë, na thonë po vdiq mamaja do ju vrasim, a thua se e kemi ne fajin që u sëmur mamaja. Kemi bërë punën, jemi lutur ishallah s’vdes se ku i dihet. Natë, vetëm jemi, ata janë shumë, njeri s’të sheh, kur kanë armë bëhen dhe trima. Kjo na ndodh të gjithëve, madje edhe shoferat na i rrëmbejnë me armë”, shprehet Kosta.

Të gjitha këto vështirësi të shumëfishta e sakrifica profesionale për 18 vjet rrjesht, nuk e kanë luhatur Kostën në vendosmërinë e tij për t’i shkuar deri në fund një nate, e cila rezervon të papriturën. “Kjo është detyra jonë, ky është profesioni. Ne ndiejmë kënaqësi kur shpëtojmë jetë dhe kur lehtësojme dhimbje. Vështirësi quajmë gjerat që nuk lidhen me profesionin tone”, përfundon ai. Kjo është vetëm një prej netëve të zakonshme të punës së një urgjence që ofron ndihmën e saj për një qytet të madh prej qindra-mijëra banorësh. Netët e ardhshme, sjellin për njerëzit e kësaj qendre të vogël, të papritura të reja.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel