Inflacioni, pak shpresa për zbutje këtë vit

22/03/2010 08:00

Rritja e çmimeve të naftës në vend ditët e fundit, si dhe prezantimi i disa taksave të reja nga qeveria, po krijojnë kushtet që inflacioni i regjistruar në fillim të vitit, të mbetet në nivele shqetësuese edhe për shumë muaj, bëjnë të ditur ekspertë të fushës.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që matet nga Instituti i Statistikave, u rrit në 4.4 për qind në muajin shkurt. Ky është inflacioni më i lartë i shënuar që nga kriza e madhe e çmimeve në mars-prill 2008. Megjithatë, qeveria dhe Banka e Shqipërisë u shprehën të pashqetësuar për këtë ecuri të çmimeve, duke e konsideruar atë si kalimtare.

Por një numër i madh biznesesh thonë se rritja e kostove po ndjehet nga të gjitha drejtimet dhe transferimi i këtyre kostove te çmimet që paguajnë konsumatorët është thjesht çështje kohe. Problemi më i madh duket se është gjithkund zhvlerësimi i monedhës kombëtare.

“Shumica e investimeve të kompanive të hidrokarbureve janë realizuar dhe po realizohen nga kreditime në euro (rreth 70% e tyre) dhe kjo sjell një kosto në rritje në përllogaritjen e shpenzimeve korente të kompanive”, deklaroi pak ditë më parë Luigj Aliaj i Shoqatës së Hidrokarbureve, duke shpjeguar se rritja e fundit e çmimeve të naftës nuk ishte thjesht pasojë e ndryshimeve të çmimit në tregun ndërkombëtar, por edhe pasojë e rritjes së kostos së investimeve në infrastrukturë.

Kompanitë shqiptare gjatë dekadës së fundit kanë tërhequr mbi 2.5 miliardë euro kredi, pavarësisht se shesin në tregun e brendshëm dhe i kanë të ardhurat në lekë. Shtrenjtimi i euros dhe dollarit me 10-12 për qind vitin e fundit ka rritur kostot e këtyre kompanive, gjë që do të rrisë edhe çmimet. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me çmimin e energjisë elektrike. Rreth 20-50 për qind e energjisë së konsumuar në Shqipëri importohet dhe zhvlerësimi i lekut pritet të rrisë kostot.

Qeveria duket se nuk do të rrijë asnjanëse në këtë valë të re rritjeje kostosh dhe çmimesh në ekonominë shqiptare. Javën e kaluar, disa propozime për ndryshimin e taksave janë përgatitur nga Ministria e Financave. Qeveria është e etur për të mbledhur më shumë taksa dhe ka vendosur ta realizojë këtë gjë duke rritur akcizat, taksat e ndotjes apo duke prezantuar ndryshime në administrimin fiskal, masa këto që do të sjellin taksim më të lartë për të njëjtat produkte si dhe rritje çmimesh.

Një masë e tillë synon të detyrojë kompanitë e duhanit të publikojnë çmimet e tyre finale, një masë kjo për të arkëtuar Tatim mbi Vlerën e Shtuar mbi një çmim më të lartë. E njëjta gjë është urdhëruar për kompanitë e tregtimit të karburantit. Nga ana tjetër, disa dhjetëra milionë euro taksa të reja do të vendosen mbi importet apo prodhimin e disa lëndëve të para si kartoni, plastmasi dhe qelqi që përdoren për ambalazh.

Inflacioni nuk i godet të gjithë njerëzit njësoj. Sipas ekspertëve të bujqësisë, qeveria shqiptare mbledh shumicën dërrmuese të të ardhurave nga taksimi i importit të ushqimeve, pijeve dhe duhanit dhe janë pikërisht këto kategori mallrash që do të ngarkohen me më shumë taksa. Gjatë vitit të fundit, qeveria shqiptare mbajti artificialisht të larta çmimet referencë që përdoren nëpër dogana, për të llogaritur tatimet mbi prodhimet bujqësore të importuara.

Kjo masë për taksim shtesë shkel marrëveshjen e anëtarësimit dhe stabilizimit me Bashkimin Europian, por vetë Kryeministri Sali Berisha e prezantoi si “një masë në mbrojtje të prodhimit vendës”. Për rrjedhojë, ushqimet kanë qenë grupi i mallrave me inflacionin më të lartë të regjistruar, inflacion që për zarzavatet shkoi deri në 40 për qind në muajin shkurt.  

Top Channel