Berisha: Të krijojmë komisionin, kutitë nuk hapen

18/03/2010 18:55

Kryeministri Sali Berisha kërkoi nga deputetët opozitarë që të mos e shndërrojnë seancën plenare në një gjyq publik ndaj 20 mijë komisionerëve socialiste dhe të mos përdorin termin ‘krim elektoral’.

“Nuk mund të flisni për ‘krim elektoral’ ndaj komisionereve për shkak se ata firmosën fitoren tonë. Ju kujtoj se ju po shkelni 20 mijë herë nenin 7 të Kushtetutës, nenin e prezumimit të pafajësisë”, u shpreh Berisha.

Kryeministri ftoi socialistët që të zhvillojnë një seancë të rregullt plenare, ndërsa shprehu gatishmërinë për t’i dhënë përgjigje legjitime kushtetuese kërkesës së opozitës për transparencë.

“Ju ftoj ta ndërtojmë komisionin hetimor ku ju te keni shumicen. Ky komision do të ketë mundësi të plotë në përputhje me Kushtetutën, me parimet themelore të ndërtimit të një demokracie, të bëjë hetimin e plotë. Cdo votë mund të numërohet, por sipas procedurës kushtetuese. Nëse ju keni fakte për kriminelët elektorale le t’i shohë prokuroria dhe ne mund të bëjmë amendime te Kushtetutës. Por asnjëri prej nesh nuk mund të marrë detyrën e prokurorit dhe gjykatësit dhe nuk mund të ndryshojmë parimet themelore të shtetit dhe ndarjes se pushteteve”, u shpreh Berisha.

Kryeministri ftoi opozitën që të hetojë zgjedhjet, përmes instrumentave të paravendosur nga shteti, por akuzoi opozitën se nuk është gati për këtë propozim, pasi nuk ka asnjë fakt për shkelje te zgjedhjeve.

 

Top Channel