Juve, mbrojtje “makthi”

14/08/2017 00:00

Pas disfatës në stadiumin “Millenium” të Kardifit, Juventusi regjistroi humbjen në një tjetër finale që mund t’i jepte një trofe.

“Zonja e Vjetër” dështoi në Superkupën e Italisë kundër Lazios, duke i lënë kundërshtarit të radhës titullin e tretë në 4 vjet. Alarmi në kampin torinez një javë nga nisja e kampionatit bëhet akoma më evident. Nën akuzë janë zgjedhjet e trajnerit Allegri dhe reparti difensiv i mbetur jetim pa Leonardo Bonuccin.
 
Tekniku i bardhezinjve nuk kërkoi alibi pas disfatës në stadiumin “Olimpico”, por nëse analizohet 90 minutëshi me fundin shpërthyes ndaj Lazios, në bankën e të akuzuarve përfundon pikërisht trajneri. Allegri në mënyrë surprizë vendosi Barzaglin në krahun e djathtë dhe Benatia në qendër me Chiellinin. Cuadrado e tradhtoi besimin e stafit teknik pasi humbi shumë topa dhe nisi aksionin e golit të parë të pësuar.

Nëse Douglas Costa do ta kishte nisur titullar, ka shumë që vënë bast se finalja do të shkonte ndryshe. Mbrojtja është ajo që ka peshën më të madhe të fajit, jo vetëm për 3 golat e pësuar, por edhe sepse nuk ofroi mbështetje për repartet e tjera. E vetmja notë pozitive ishte Dybala, i cili nderoi numrin 10 mbi supe dhe riktheu në diskutim një kupë që ishte humbur shpejt. Por, argjentinasi nuk mjaftoi dhe tani është koha e analizës për të mos humbur edhe fronin e Serisë A.

Top Channel