Isco rinovon me Realin. “Los Blancos”, klauzola të çmendura

11/08/2017 00:00

Klauzolat 100 milionë euroshe, deri pak sezone më parë konsideroheshin barrikada të nevojshme për të zmbrapsur klubet e interesuara që të joshnin futbolistët cilësorë, por rastet si Pogba, Gareth Bale, apo së fundmi rekordi i Neymar i kanë ndryshuar skenarët.

Për t’i bërë ballë realitetit të ri në futbollin botëror, që ndikohet jo pak nga sheikët dhe milionerët që i konsiderojnë lojtarët “lodra të kushtueshme”, Reali i Madridit vendos klauzola të papërballueshme.

Francisco Román Alarcón Suárez, i njohur nga të gjithë tifozët me emrin Isco, rinovoi së fundmi me kampionët e Europës për 4 sezone, madje me opsionin për një të pestë në varësi të formës së tij. Ish-mesfushori i Malagës, që meritoi kontratën e re me “Los Blancos” përmes asisteve dhe golave, do të paguhet plot 6 milionë euro në sezon.

Por ka diçka, të cilën Isco nuk e kishte menduar. Nëse do të dojë një fanellë tjetër mbi trup, veç asaj të “galaktikëve”, skuadra e re do të duhet të paguajë 700 milionë euro.

Politika e Realit të Madridit është për të mbrojtur yjet e vet me klauzola të tilla parandaluese, për të shmangur atë që ndodhi me Neymar te Barcelona. Mesfushori Isco kishte një klauzolë parandaluese në merkato prej 150 milionë eurosh, por nëse Barcelona mendoi ta blinte këtë verë, tani duhet ta harrojë.

“Nuk ka asnjë lojtar në ekipin e parë të Realit me një klauzolë nën 500 milionë, madje edhe në ekipin e të rinjve, ka futbollistë me klauzola 300 milionëshe në kontrata”, tha një burim për gazetën “AS”.

Top Channel