Afrojnë Superkupat, Real “çalon” pa Ronaldon

03/08/2017 00:00

Giovinco, Kakà, Schweinsteiger e Villa ishin të gjithë në fushë, por nuk mjaftuan protagonistët e seleksionit All Stars për të ndalur Realin e Madridin.

Në stadiumin e Cikagos kampionët e Europës u imponuan me penallti ndaj formacionit të improvizuar të MLS, në një sfidë që u mbyll 1-1 dhe u vendos nga penalltitë në favor të “Los blankos”.

Por u ndje edhe njëherë në kampin merengues, mungesa e futbollistit më të mirë në botë, fituesit të Topit të Artë Cristiano Ronaldo. Përgatitjet parasezonale frustruese përfunduan dhe tani fillon beteja e vërtetë me ndeshjet që vlejnë trofe për ekipin e Zinedin Zidan.

Cristiano do të jetë sërish me klubin mbretëror në 5 gusht, thuajse i sigurt për mungesën në Superkupën e UEFA-s ndaj Manchester United 3 ditë më vonë. Por ka nga ata që ngulmojnë për të patur portugezin në fushë ndaj Djajve të kuq, në një kryqëzim emocionues të fatit mes anglezëve dhe Ronaldos. Një tjetër provë e rëndësishme e realit që duhet të llogarisë Topin e Artë në fushë, është Superkupa e Spanjës.

El Clasiko ndaj Barcelonës vlen më shumë se spektakli në Majemi ndaj katalanasve, pasi tani luhet për trofe të vërtetë dhe avantazh në startin e sezonit.

4 ndeshjet në SHBA treguan se kampionët e Europës janë larg formës së pritshme, por mbetet për t’u parë sesi do të prezantohen kur të kenë Special One përballë pas një jave.

Top Channel