Kasti i “The Emoji Movie” ka zbritur në tapetin e kuq në Los Anxheles për premierën botërore të filmit të animuar, i cili shfaqet në kinematë amerikane duke nisur nga e premtja.

Filmi imagjinon një botë brenda telefonëve celularë, ku emoji-it rebelohen ndaj faktit që mund të portretizojnë vetëm një lloj emocioni gjatë gjithë jetës së tyre.

T.J. Miller është zëri i Gene, fatlumi me shprehje të ndryshme fytyre. Edhe pse filmi është një komedi, ai sërish bart në vetvete një mesazh të rëndësishëm.

“Kur njerëzit ta shohin filmin do të dallojnë mesazhet progresiste që ai sjell për veten, për të qënit i gjithëpërfshirë. Na pëlqeu gjithçka në këtë film dhe na entuziazmon fakti që shikuesit do të bëfasohen prej tij”, thotë aktori T.J. Miller.
 
Një pjesë e mirë e publicitetit për filmin e Sony Pictures është fokusuar tek aktori shekspirian Patrick Stewart, i cili vjen si zëri i emoji-it të jashtëqitjes.
“Poop është shumë i këndshëm për faktin se e ka të qartë kush dhe çfarë është dhe këtë e shpreh me një sens tejet të hollë humori, çka i lejon të përdorë me mendjemprehtësi eufemizmin mbi atë që përfaqëson”, shprehet aktori Patrick Stewart.

“The Emoji Movie” ka afruar mes të tjerësh edhe aktoren e njohur Anna Faris, si dhe moderatorin televiziv James Corden.

Top Channel