Merkato e çmendur, UEFA ndryshon “Fair Play” financiar

25/07/2017 00:00

Çmimet marramendëse të futbollistëve dhe merkatoja e çmendur kanë bindur UEFA të rishohë rregullin e Fair Play Financiar të vendosur për klubet në vitin 2011.

Aktualisht ky rregull zbatohet në bazë të parimit “shpenzo aq sa fiton”. Askush nuk duhet të ketë borxhe drejt klubeve, apo personave të tjerë, bilanci duhet të ketë një barazim mes shpenzimeve dhe të ardhurave.

Llogaritë janë të vlerësuara për një periudhë 3-vjeçar. Cikli 2015-2018 të lejon një deficit në bilanc deri në 30 milionë Euro. Nëse në 2 vitet e para një klub rezulton me humbje 30 apo 20 milionë Euro, në vitin e tretë ai duhet të ketë një bilanc aktiv me 20 milionë Euro.

Në rast mos respektimi të këtij rregulli ka ndëshkime nga masa me gjobë deri te skualifikimi.

Por mesa duket ky rregull nuk ka dhënë efektet e duhura kështu që UEFA po mendon ta ndryshoje. Pas zgjedhjes së tij në krye të institucionit Aleksandar Ceferin ka shfaqur pakënaqësitë që vetëm pak klube kanë mundësi të blejnë lojtarët më të mirë duke u shprehur se është e nevojshme që të rritet konkurenca.

Flitet për masa sportive dhe financiare. Kështu UEFA po mendon që të vendosë “Taksën e Luksit”, që do të mbahet mbi pagat, ose vlerën e kartonit të futbollistit. Si shembull, nëse një klub do të blejë Messin  për 100 milionë Euro i paguan sistemit një taksë nga 10 përqind dhe e njëjta  gjë vlen edhe për pagën.

Tavani i pagës është një tjetër masë që po mendohet. Bëhet fjalë për vendosjen e një kufiri në pagën që një klub mund të paguajë për lojtarët. Mund të vendoset një kufi page në aspektin individual, por edhe për skuadrën.

Vendosja e një limiti të numrit të futbollistëve është një tjetër masë që mund të merret nga UEFA. Kjo pikë ka të bëjë me vendosjen e një kufiri në numrin e futbnollistëve që mund të blejë një klub, që do të thotë se askush nuk do të mund të blejë më të gjithë lojtarët që duan. Po kështu synohet edhe rregulli për dhënien e lojtarëve me huazim, ndërkohë që synohet edhe në ndërhyrjen në sistemin e transferimit.

Top Channel