Zyrtare, Januzaj te Real Sociedad

12/07/2017 00:00

Adnan Januzaj do të vazhdojë karrierën e tij futbollistike te klubi spanjoll Real Sociedad.

Zyrtarizimi u bë nga vetë klubi bask, që njoftoi se ka blerë në mënyrë përfundimtare nga Manchester United, mesfushorin me origjinë nga Kosova.

Sipas marrëveshjes, Januzaj do të nënshkruajë një kontratë pesë vjeçare me Real Sociedadin, ndërsa nuk bëhet publike vlera që Sociedad pagoi për të blerë kartonin e tij.

Adnan Januzaj u konsiderua si një nga talentet më të mëdhenj, me origjinë shqiptare, por që shpërfilli Shqipërinë dhe Kosovën duke zgjedhur të përfaqësojë Belgjikën.

Dy sezonet e fundit, mesfushori me tipare sulmuese i ka kaluar në huazim, konkretisht te Borusia Dortmund ku luajti 6 ndeshje dhe së fundmi te Sunderland ku u aktivizua në 25 takime, por pa mundur të gjejë rrugën e rrjetës.

Top Channel