Turi i Francës, Kittel fiton etapën e 10. Suksesi i katërt

12/07/2017 00:00

Marcel Kittel shfaqet sërish në “Tour de France”. Çiklisti gjerman fitoi etapën e 10 të këtij kompeticioni, e katërta për të në edicionin e këtij vit. Çiklisti i skuadrës “Quick Step” tregoi edhe njëherë forcën e tij në “Grande Boucle”, duke kaluar i pari vijën e “finish”-it të kësaj etape, 178 km e gjatë.

E nisur nga Perigueux dhe e mbyllur në Bergerac, etapa e 10 ishte e përshtatshme për çiklistët sprintierë si Marcel Kittel, tek i cili ishte përqëndruar edhe vëmendja më e madhe.

Që në fillimin e kësaj etape u pa një shkëputje nga Offredo dhe Gesbert, me këtë të fundit që arriti të thellojë diferencën në 5 minuta, kur ishin përshkuar 65 km e para të etapës. Por në 30 km e fundit, kjo diferencë u shkurtua ndjeshëm duke zbritur nën 2 minuta, ndërkohë që grupi i madh i çiklistëve vijoi të fitonte terren. Shumë shpejt, koha me dy kryesuesit ra në vetëm 30 sekonda.

Në 6 km e fundit, Offredo u arrit nga pjesa tjetër e garuesve, ndërkohë që e njëjta gjë ndodhi edhe me Gesbert në çastet e fundit të etapës, ku Kittel arriti të triumfojë për të katërtën herë në këtë edicion të Turit të Francës.

Në vendin e dytë u rendit çiklisti tjetër gjerman, Degenkolb, ndërsa vendi i tretë i takoi holandezit Groeneëegen. Renditja e përgjithshme nuk ka ndryshime, në krye vazhdon të qëndrojë Chris Froome me 42 orë, 27 minuta e 29 sekonda, i ndjekur nga Fabio Aru me 18 sekonda më shumë, ndërsa i treti është Romain Bardet me 51 sekonda më shumë sesa Froome.

Top Channel