PSG kërkon Coutinhon nga Liverpool, por vlera 100 mln euro…

03/07/2017 00:00

Phillipe Coutinho është një ndër emrat më të përmendur së fundmi në merkaton e transferimeve. Fillimisht emri i futbollistit brazilian të Liverpoolit u lidh me atë të Barcelonës, ndërkohë që së fundmi në skenë është ngjitur Paris Saint Germain.

Klubi francez dhe presidenti i tij, Nasser Al Khelaifi, kanë shprehur gatishmërinë për të derdhur një shumë të madhe parash për të përforcuar skuadrën, në mënyrë që ajo të kthehet te titulli kampion në Ligue 1 dhe Coutinho është shtuar në listën e dëshirave të tyre.

Sipas asaj që publikohet në median franceze, te Paris Saint Germain po kërkohet zëvendësuesi i Marco Verrattit, që kërkon transferimin te Barcelona, dhe Coutinho duket se është personi ideal.

Problemi në këtë çështje qëndron te Liverpooli, drejtuesit e të cilit kërkojnë jo më pak se 100 milionë euro për lënien e Coutinhos të lirë, shifër kjo që nuk është e papërballueshme për parizienët. Ajo që pritet të verifikohet është nëse Paris Saint Germain do të jetë vërtet i gatshëm të derdhë këtë shifër në arkat e Liverpoolit, apo jo.

Top Channel