“Rusia e dopuar në Botërorin 2014”

25/06/2017 00:00

Jo vetëm atletika, por tashmë edhe futbolli në Rusi është mbuluar nga hija e dopingut. Tabloidi britanik, “Daily Mail” hedh “bombën” saktësisht një vit nga Botërori që do të zhvillohet pikërisht në Rusi.

Sipas medias angleze, të gjithë 23 lojtarët e Kombëtares së Rusisë që morën pjesë në Botërorin 2014 janë vënë nën hetim nga FIFA për doping.

Atyre u shtohen edhe 11 lojtarë të tjerë profesionistë dhe në këtë mënyrë, lista shkon në 34 lojtarë të hetuar. Problemi bëhet serioz pasi 4 nga lojtarët e Rusisë së Botërorit 2014 janë aktualisht pjesë e skuadrës, madje u aktivizuan në Kupën e Konfederatave.

Bëhet fjalë për Kanunnikov, Glushakov, Akinfeev e Samedov. Në Brazil 2014, Rusia bëri një paraqitje të dobët duke mos arritur ta kalonte fazën e grupit me vetëm dy pikë të grumbulluara në 3 ndeshje të luajtura dhe në drejtimin e saj ishte trajneri italian, Fabio Capello.

Sipas “Daily Mail”, lojtarët e implikuar ishin pjesë e atij që quhej “sistem mbrojtës” i zbuluar nga Agjencia Ndërkombëtare Antidoping në vitin 2016. Në hetimin e WADA-s janë përfshirë rreth 1000 sportistë nga disiplina të ndryshme, por vetëm gjatë orëve të fundit në këtë skandal është përfshirë edhe futbolli rus.

Top Channel