Olympiacos prezanton Besnik Hasin si trajner

08/06/2017 00:00

Besnik Hasi u zyrtarizua, ashtu siç pritej, si trajneri i ri i Olympiacosit, skuadra e njohur greke e futbollit që vendos t’i besojë gjakovarit frerët e ekipit për sezonin e ri.

Ish-futbollisti i kombëtares kuqezi u prezantua nga drejtuesit më të lartë të klubit, në selinë në Athinë, duke firmosur një kontratë dyvjeçare.

“Jam shumë i emocionuar që jam pjesë e Olympiacos, pasi kam luajtur këtu kur isha me Anderlechtin dy herë, dhe e di sesa i madh është ky klub. Në çdo ndeshje më ka lënë mbresa, klima që krijojnë tifozët në shkallët e stadiumit, madje në një rast lojtarët e mi u frikësuan”, tha trajneri Besnik Hasi.

Olympiacos mungoi në fazën e grupeve të Championsit, vitin e kaluar, e ky prezantohet si objektivi i ri i trajnerit shqiptar.

Ekipi nga Pireu mori para pak javësh titullin e 7 radhazi të kampionit të Greqisë, por pritshmëritë e larta për ekipin grek imponojnë arritje edhe në Europë. Besnik Hasi ka drejtuar më parë ekipe si Anderlecht dhe Legia e Varshavës, ndërsa ka qenë në negociata me FSHF-në edhe për stolin e kombëtares shqiptare.

Top Channel