NATO: Demarkacioni nuk na përket

08/06/2017 00:00

NATO nuk ka rol të drejtpërdrejtë te demarkacioni i kufijve, as mbi shtetet e saj anëtare, e as mbi vendet e tjera.

Me këtë përgjigje, aleanca ushtarake e Atlantikut të veriut i ka dhënë fund shqetësimit të disa ekspertëve në Kosovë, sipas të cilëve, anëtarësimi i Malit të Zi në aleancë mund të ndikojë te rinegociimi i paktit kufitar.

Njohësit e çështjeve të sigurisë përcollën frikën e tyre, se tani që vija kufitare e këtij shteti është pranuar edhe nga aleanca e Atlantikut të veriut, Podgorica zor se do të hyjë në proces rishikimi të paktit. Përpos kësaj, ujdia është ratifikuar nga Parlamenti i atjeshëm, ndërsa qeveria proruse është mjaft e fuqishme dhe vështirë se ekzekutivi do të ketë guximin t’u hyjë rishikimeve.

NATO e bëri të qartë se nuk ndërhyn. “Presim që të gjitha shtetet t’i zgjidhin çështjet e tilla në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjen e saj për “Radion Europa e Lirë”.

Në Kosovë, marrëveshja për demarkacionin e kufirit kundërshtohet. Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër i koalicionit parazgjedhor, PDK-AKK-Nisma, është shprehur kundër saj dhe për rishqyrtim të ujdisë paralajmëron edhe kandidati i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Kosova dhe Mali i Zi e kanë nënshkruar marrëveshjen për kufirin shtetëror në Vjenë në vitin 2015. Por ligjvënës kosovarë, si nga shumica, ashtu edhe nga opozita, këmbëngulin se nga marrëveshja Kosova humb territor, ndaj dhe nuk e votojnë, megjithëse demarkacioni i kufirit është kusht për vendin që të avancojë në procesin e integrimit europian.

Top Channel