NBA, Golden State një hap larg finales. 3-0 ndaj Spurs

21/05/2017 00:00

Ata vijojnë të jenë të pamposhtur në fazën e “play off”-eve të kampionatit amerikan të basketbollit, NBA.

Por Golden State Warriors duket se nuk e llogarisin fare pengesën teksane që i paraqet San Antonio Spurs, teksa e kanë mposhtur këtë të fundit edhe në parketin e tyre 120-108 në përballjen e tretë të finales së Konferencës së Perëndimit. Tashmë, “luftëtarët” e shohin veten vetëm 48 minuta larg finales së madhe të NBA, për të tretin vit radhazi.

Spursat e trajnerit Gregg Popovich, edhe këtë herë pa Leonard dhe Parker në parket, nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për të ndalur vrullin e kalifornianëve, të udhëhequr nga Kevin Durant në formë të shkëlqyer me 33 pikë dhe 10 topa në tabelë. As rikthimi në “AT&T Center” të Teksasit nuk i ka ndihmuar ata.

Perioda e parë u duk më e ekuilibruar, me Spursat që e mbyllën në avantazh 33-29. Por përballja mbeti e luftuar dhe e gjallë deri kur shkoi rezultati 49-49, pasi nga ai moment e në vijim do të vinte një rezultat i pjesshëm 12-0 për Warriors, me 8 pikë të shënuara nga Durant, për të shkuar në pushim me avantazhin e 9 pikëve.

Pas pushimit, Spurs duken më të karikuar, por e shkurtojnë diferencën deri në -3 pikë. Edhe në këtë moment vjen “stuhia” kaliforniane ndaj teksanëve, me Golden State që shkoi deri në 18 pikë avantazh (98-80), me Durantin që shënoi 19 nga 33 pikët në total vetëm në periodën e tretë. Edhe 12-minutëshi i fundit flet vetëm për Warriors, të cilët tashmë do ta kenë më të lehtë të futen në sfidën e katërt, mes të hënës dhe të martës.

Top Channel