Trump nis turin në Arabinë Saudite

20/05/2017 00:00

Në Arabinë Saudite, Donald Trump iu rezervua një pritje mbretërore. Vizita e shefit të Shtëpisë së Bardhë në vendin e gjirit Persik çel turneun e tij të parë jashtë kufijve që prej marrjes së postit në muajin janar.

Itinerari kompleks do ta çojë përgjate 8 ditësh presidentin amerikan në 5 shtete të lindjes së mesme dhe Europës, përfshirë këtu kryeqendrat e besimeve të mëdha botërore. 

Kryeqyteti saudit duket entuziast për këtë ndalese. Air Force One preku tokën në aeroportin King Khalid të Rijadit në 9:45 me orën lokale. Në pistë, kreun e administratës amerikanë e priste mbreti Salman dhe të tjerë zyrtarë të lartë saudite.

Trump dhe 81-vjeçari Salman kanë pasur një bisedë mjaft miqësore brenda terminalit Royal të aeroportit menjëherë pas mbërritjes së presidentit amerikan. Së bashku kanë udhëtuar më pas drejt qendrës së Rijadit, ku do të qëndrojë Trump gjatë kësaj vizite e ku do ta kalojë pasditen e së shtunës nëpër takime me Salmanin dhe qeverinë e tij, përfshirë zëvendësprincin tepër të fuqishëm të kurores, Mohammed bin Salman.

Rrugëtimi ndërkombëtar i republikanit vjen në një moment pasigurish të thella të presidencës së tij. Një prokuror i posaçëm është caktuar të hetojë përfshirjen e Rusisë në presidencialet e nëntorit.

Top Channel