Ndeshja me Kukësin, Partizani kërkon arbitra të huaj

02/05/2017 00:00

Javët e fundit në Kategorinë Superiore është krijuar një situatë jo e këndshme, ku në qendër të vëmendjes kanë qenë arbirtrat. Nuk ishin të paktë ata që kanë bërë gabime, duke ndikuar edhe në rezultatin e sfidave në disa raste.

Një gjendje kjo, që ka shtyrë Federatën Shqiptare të Futbollit të ndërmarrë edhe masa ndaj klasës arbitrare.

Megjithatë, këto vendime duket se nuk kanë kënaqur plotësisht klubin e Partizanit, që në prag të ndeshjes me Kukësin ka dalë me një deklaratë për shtyp, ku përsëriti kërkesën që kjo sfidë të gjykohet nga arbitra të huaj.

Klubi kryeqytetas thekson se, kjo kërkesë është bërë në bazë të rregullores së FSHF-së, pasi sfida me Kukësin mund të quhet e veçantë. Në të njëjtën kohë, Partizani deklaroi se është gati të marrë përsipër çdo shpenzim që do të kërkohet për të mundësuar një gjë të tillë.

Drejtuesit e “të kuqve” shprehën besimin se FSHF-ja, këtë radhë do të krijojë ambientin e duhur për të larguar çdo hije paragjykimi për sfidën me skuadrën e Kukësit, duke qenë se ajo mund të përcaktojë jo pak në luftën për titullin kampion të vendit.

Finalja e parakohshme e Superiores, që me gjasë do të vendosë edhe titullin, do të luhet të premten e 5 majit në orën 19:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Top Channel