Befason Raiola, i ofron Donnarummen  Interit

29/04/2017 00:00

Mino Raiola befason të gjithë dhe i ofron portierin Donnarumma, Interit. Lajmi i bujshëm bëhet i ditur nga e përditshmja italiane ‘Corriere Dello Sport’ sipas së cilës agjenti i futbollistit të Milanit ka nisur bisedimet me drejtuesit e klubit zikaltër duke i propozuar kartonin e 18-vjeçarit në vitin 2018 që do të jetë me parametra zero.

Sigurisht që një propozim i tillë ka marrë një përgjigje pozitive nga ana e Ausilios, ndërkohë që te Milani po punohet për rinovimin e kontratës së lojtarit. Por mesa duket e gjithë kjo lëvizje e Raiolës është për të ushtruar më shumë presion mbi Milanin në mënyrë që ai të sigurojë një kontratë akoma më të mirë për klientin e tij.

Në fakt, Milani e ka bërë një ofertë për rinovimin e kontratës së Donnarummës që parashikon një pagë prej 3.5 milionë Eurosh në sezon, por që nuk është pranuar ende nga futbollisti dhe agjenti i tij.

Në këtë pikë drejtuesit e kuqezinjve, Fassone e Mirabelli po tentojnë ta bindin atë me përfitime të tjera, sic është dhënia e shiritit të kapitenit, rolit të liderit, ndërkohë që i kanë ofruar edhe një pagë për vëllain e tij Antonio që është portier tek skuadra e Asteras Tripoli.

Ideja është që çështja e rinovimit me Donnarummën të mbyllet brenda 30 qershorit, në rast të kundërt Milani do të kërkojë që ta shesë që në muajt e kësaj vere për të mos e humbur atë në 2018 me parametra zero. Ndërkaq te Interi po ëndërrohet hakmarrja për atë çfarë Milani bëri vite të kaluara kur i rrëmbeu Pirlon dhe Seedorf.

Top Channel