Flamurtari, dy ndeshje pa tifozë pas trazirave të së hënës

13/04/2017 00:00

Trazirat dhe kaosi që mbretëruan për pak minuta në stadiumin e Flamurtarit, në ndeshjen ndaj Skënderbeut, i kanë kushtuar dënimin nga Disiplina skuadrës vlonjate.

Për shkak të sjelljes së gabuar të tifozëve, ekipi bregdetar do të detyrohet të zhvillojë dy ndeshjet e radhës në stadiumin e tij pa praninë e tifozëve.

Sipas relacionit të vëzhguesve, flakadanët e hedhur në fushë dhe incidentet në shkallët e impiantit, që ndalën përkohësisht lojën, ishin skena aspak sportive, për të cilat bëhet përgjegjës klubi organizator, në këtë rast Flamurtari.

Kuqezinjtë humbën 0-1 ndaj Skënderbeut, duke komplikuar kështu më shumë llogaritë për qëndrimin në Kategorinë Superiore, ku mbajnë vendin e parafundit.

Ndërkohë, Disiplina përdori një masë më të butë për Kukësin, duke dënuar ekipin verilindor me 200 mijë lekë gjobë për sjellje të gabuar të tifozerisë, në përballjen ku barazoi pa gola ndaj Vllaznisë.

Top Channel