Kombëtarja e femrave, me Kosovën në paraeliminatore

29/03/2017 00:00

Nga data 6 deri në 11 prill, Kombëtarja e futbollit të femrave do të jetë e impenjuar në ndeshjet e paraeliminatoreve të kampionatit Botëror te vitit 2019. Skuadra e drejtuar nga Armir Grima është në një grup me Kosovën, Greqinë dhe Maltën, ku padyshim ajo do të kërkojë kualifikimin.

“Kemi një periudhë prove, ku do të shohim dhe seleksionojmë të gjithë elementët që kemi në ekipin tonë. Nga këto tre ndeshje ne presim të kualifikohemi. Grupi është i vështirë, por ne kemi optimizëm të lartë”, shprehet Armir Grima, trajner i kombëtares së femrave.

Kombëtarja shqiptare do të nisë këtë fazë të paraeliminatoreve të Botërorit pikërisht me përballjen me Kosovën në “Elbasan Arena”, një sfidë të cilën trajneri Grima do të preferonte ta evitonte.

“Ndeshja me Kosovën është me e veçantë, por futbolli ky është dhe ne duhet të tregojmë vlerat dhe të arrijmë objektivat që kemi. Të luash ndaj Kosovës është kënaqësi e veçantë. Unë nuk do të kisha dashur ta kisha në grup Kosovën”, shprehet Grima.

Përveç “Elbasan Arena”-s, ndeshjet e grupit tonë të këtyre paraeliminatoreve do të luhen edhe në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë.

Top Channel